Lajme

Studentë nga Shqipëria ia mësyjnë me të madhe Kosovës

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, është bërë shumë atraktiv për të rinjtë nga Shqipëria që duan t’i vazhdojnë studimet.

Por, interesimi i të rinjve nga Kosova është shumë më i vogël për studime në Universitetin e Tiranës.

Një studente nga Shqipëria që jeton dhe studion në Kosovë, ka treguar për Shqip.com se pse ka vendosur që të studiojë në Universitetin e Prishtinës.

“Jetesa për studente është më cilësore dhe më e përshtatshme nga ana ekonomike. Arsim cilësor me çmime me te ulëta se në Shqipëri. Gjithashtu edhe akomodimi i studenteve në konvikte është më i saktë dhe konviktet kanë kushte shumë më të mira se ata në Shqipëri”, thotë ajo.

Në një përgjigje për Shqip.com, nga Universiteti i Prishtinës thonë se momentalisht, numri i studentëve nga Shqipëria është 44.

Po ashtu nga UP-ja kanë bërë të ditur edhe programet më të kërkuara nga ana e studentëve.

“Nga Republika e Shqipërisë në vitin akademik 2019-2020 kanë studiuar 109 studentë, kurse në vitin akademik 2020-2021, gjithsej 63 studentë. Programet më të kërkuara janë programet e Fakultetit të Mjekësisë, të Juridikut, Arteve, të Edukimit, Inxhinieria Mekanike”, thuhet në përgjigje.

Universitetin e Tiranës ka treguar Shqip.com ka kontaktuar edhe për të parë se sa është numri i studentëve nga Kosova në Shqipëri.

Nga Universiteti i Tiranës thonë se numri i studentëve nga Kosova gjatë tre viteve akademike është 68.

“Në vitin akademik 2019/20 numri i tyre ishte 17 , gjatë vitit akademik 2020/21 ishte 23, ndërsa gjatë vitit 201/22 numri i tyre ishte 28”.

Ndërkohë, një student nga Kosova ka thënë për Shqip.com, se vendimi për të studiuar në Shqipëri, erdhi pasi në Kosovë u përball me disa pengesa të pakalueshme.

“Arsyeja ime personale pse kam vendos me studiu në Shqipëri është se drejtimi im (Fizioterapi) ka qenë i kushtëzuar në Kosovë, vetëm për nxënësit e shkollës së mesme të mjekësisë, d.m.th. nuk ka vlejte për nxënës te Gjimnazit”,thotë ai.

Për Shqip.com ai ka rrëfyer se viti akademik në shtetin e Shqipërisë, kushton rreth 170 euro për dy semestrat.

Viti akademik ne Shqipëri kushton 20000 Leke apo rreth 170€. Qiraja e një banese për 3-4 persona, sillet nga 250-300€”, rrëfen studenti kosovar.

Ndryshe nga Shqipëria në Kosovë viti akademik për dy semestra kushton 100 euro.

Në një përgjigje për Shqip.com, Ministria e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka thënë se marrëveshja po zbatohet pa ndonjë problem.

“Marrëveshja ka filluar të zbatohet nga korriku i këtij viti, kur ka qenë periudha e regjistrimeve në universitetet publike. Dokumentet e shkollës së mesme për studentët nga Shqipëria, janë njohur me procedurë të përshpejtuar, ndërsa universitetet nuk kanë aplikuar asnjë kufizim për numrin e studentëve nga Shqipëria”, kanë deklaruar nga kjo ministri.

Po ashtu thuhet se marrëveshja aplikohet në të gjitha universitetet publike të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Çka parasheh Marrëveshja mes Kosovës dhe Shqipërisë?

Lejimi i studimeve të rinjve nga dyja vendet është mundësuar falë një marrëveshje të nënshkruar gjatë mbledhjes së përbashkët midis Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë, para 5 muajve, në të cilën u vendos që nga ky vit të gjithë maturantët nga Kosova dhe Shqipëria, mund të konkurrojnë në Universitet e këtyre dy vendeve me kushte të barabarta.

Marrëveshja parasheh heqje të kufizimeve për numrin e studimeve, me procedurë të përshpejtuar për njohjen e kualifikimeve nga shkollimi i mesëm dhe studime në kushte të barabarta si për studentët vendorë.

/Shqip.com