Stoltenberg: Navalny nderohet më së miri nëse mposhtet Rusia në Ukrainë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, thotë se vdekja e politikanit opozitar rus, Alexei Navalny, si dhe përfitimet e para të Rusisë në fushëbetejë pas shumë muajve, duhet ta ndihmojnë aleancën ushtarake dhe aleatët e saj t’i kushtojnë vëmendje nevojës urgjente për ta mbështetur Ukrainën.
Gjatë një interviste me Radion Evropa e Lirë (REL) më 20 shkurt në Bruksel, shefi i NATO-s tha se tërheqja e forcave ukrainase nga qyteti i Avdivkës pas shumë muajve luftimesh, dëshmon nevojën për më shumë ndihma ushtarake “për t’u siguruar se Rusia nuk fiton më shumë territor”.
Vdekja e Navalnyt në një burg në Arktik të premten më 16 shkurt nën rrethana të dyshimta e rrit nevojën për t’u siguruar që sundimi autoritar i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, nuk kalon pa u kontrolluar.
“Unë besoj fuqishëm se mënyra më e mirë për ta nderuar kujtimin e Alexei Navalnyt është të sigurohemi se presidenti Putin nuk fiton në fushëbetejë, por që Ukraina të triumfojë”, tha Stoltenberg.
Aleatët e Ukrainës kanë punuar për një pako prej 61 miliardë dollarësh ndihmë ushtarake amerikane, tha Stoltenberg, por derisa kjo pako ka ngecur në Dhomën e Përfaqësuesve, vendet e tjera, përfshirë Suedinë, Kanadanë dhe Japoninë, e kanë rritur mbështetjen për Ukrainën.
Ministria e Mbrojtjes e Suedisë tha të martën se do t’i japë Ukrainës ndihmë ushtarake në vlerë rreth 680 milionë dollarë, përfshirë dërgimin e pajisjeve dhe para të gatshme për blerjen e armëve.
Kjo do të jetë hera e 15-të që Suedia i dërgon ndihmë Ukrainës dhe pakoja më e madhe e ndihmës deri më sot, duke rritur në rreth 2.8 miliardë dollarë ndihmën e përgjithshme që ia ka dhënë asaj prej se Rusia e filloi pushtimin e saj më 2022.
Departamenti i Mbrojtjes i Kanadasë tha më 19 shkurt se do t’ia dërgojë Ukrainës në mënyrë të përshpejtuar më shumë se 800 dronë, duke shtuar se dronët janë bërë armë kritike për Ukrainën në këtë luftë. Ata kushtojnë rreth 70 milionë dollarë dhe do të dërgohen nga fillimi i pranverës.
Tokio do ta ndihmojë Ukrainën për t’u rindërtuar nga dëmet e luftës duke ia dhuruar 106 milionë dollarë.
“Natyrisht se ne e kemi vëmendjen te Shtetet e Bashkuara, por ne po e shohim gjithashtu se si aleatët e tjerë po i japin mbështetje të madhe Ukrainës”, tha Stoltenberg.
I pyetur se kur do të jenë në gjendje t’i përdorë avionët luftarakë F-16 Ukraina, Stoltenberg tha se nuk mund ta thotë tani.
Ai e përsëriti se të gjithë aleatët e Ukrainës duan që avionët luftarakë të jenë në dorën e saj sa më shpejt që është e mundur, por shtoi se ndikimi i tyre do të jetë më i fortë nëse pilotët janë të trajnuar mirë dhe nëse ekuipazhi dhe personeli mbështetës i tyre janë të përgatitur mirë.
“Pra, mendoj se ne duhet t’i dëgjojmë ekspertët ushtarakë se kur saktësisht do të jemi ne të gatshëm, apo se kur aleatët do të jenë të gatshëm të fillojnë t’ia dërgojnë Ukrainës avionët F-16”, shtoi ai.
“Sa më parë, aq më mirë”, theksoi ai.
Ukraina vazhdimisht ka kërkuar avionë luftarakë F-16, të prodhuar nga SHBA-ja, për ta luftuar superioritetin rus në ajër. Shtetet e Bashkuara i dhanë leje në gusht Danimarkës dhe Holandës për t’i dërguar Ukrainës avionë luftarakë F-16 sapo pilotët ukrainas ta mbarojnë trajnimin.
Secili vend do të vendosë vetë se a t’i dërgojë apo jo avionë luftarakë F-16 Ukrainës, dhe aleatët kanë politika të ndryshme, tha Stoltenberg.
Por, njëkohësisht, lufta në Ukrainë është luftë prej agresori, nënvizoi ai, dhe Ukraina ka të drejtë të vetëmbrohet, përfshirë duke i goditur caqet ushtarake ruse jashtë Ukrainës.
I pyetur për mundësinë që ish-presidenti Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, Stoltenberg tha se beson se, pavarësisht rezultatit në zgjedhjet presidenciale në SHBA këtë vit, Shtetet e Bashkuara do të mbesin aleatë të përkushtuar të NATO-s, sepse kjo është në interes të sigurisë së vetë Shteteve të Bashkuara.
Trump, i cili është lider në garën për t’u nominuar për president nga Partia Republikane, nxiti kritika të ashpra nga presidenti Joe Biden, liderët evropianë dhe NATO-ja, pasi tha më 10 shkurt se Shtetet e Bashkuara mund të mos i mbrojnë anëtarët e aleancës ushtarake nga pushtimi i mundshëm rus, nëse ato nuk paguajnë mjaftueshëm para për mbrojtjen e vet.
Stoltenberg tha se Shtetet e Bashkuara janë më të sigurta dhe më të fuqishme me më shumë se 30 aleatë – diçka që i mungon edhe Kinës, edhe Rusisë.
Kritikat ndaj NATO-s kanë të bëjnë me aleatët që shpenzojnë pak në mbrojtje, tha ai. Por, Stoltenberg shtoi se të dhënat e reja tregojnë se seç herë e më shumë aleatë të NATO-s po e plotësojnë cakun e shpenzimit të 2 për qind të GDP-së për mbrojtjen, dhe se kjo tregon se aleanca ka shënuar përparim të madh prej se e dha këtë zotim më 2014.
Në atë kohë, vetëm tri vende anëtare të NATO-s i shpenzuan 2 për qind të GDP-së për mbrojtjen; tani janë 18, tha ai.
“Nëse e bashkon atë çfarë e bëjnë të gjithë aleatët evropianë dhe e krahason me GDP-në në përgjithësi në Evropë, del 2 për qind sot, në fakt. Kjo është mirë, por nuk mjafton sepse ne duam [që çdo anëtar i NATO-s] t’i shpenzojë 2 për qind. Dhe, ne po ashtu sigurohemi që 2 për qind të jetë minimumi”, shtoi ai. /REL
/Shqip.com