Lajme

“Stenta 1”, në fjalën përfundimtare prokuroria ndryshon dispozitivin e aktakuzës dhe kërkon dënimin e Ferid Aganit dhe Gani Shabanit

Në fjalën përfundimtare, prokuroria ka bërë ndryshimin e dispoviztivit të aktakuzës dhe po ashtu ka kërkuar dënimin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish-sekretarit të kësaj ministrie, Gani Shabani të akuzuar për korrupsion, ndërsa mbrojtja po kërkon lirimin e tyre.

Këto deklarime, u dhanë në seancën e së premtes gjatë fjalës përfundimtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshimi i dispozitivit të aktakuzës, sipas prokurores Florie Shamolli është bërë konform nenit 350 të Kodit të Procedues Penale dhe atë për sa i përket pjesës ku thotë se “nuk ju kanë nënshtruar ligjit të prokurimit” dhe vlerës së dëmit të shkaktuar.

“Arsyeja pse unë jam tërhequr nga pjesa ku thotë se “nuk ju kanë nënshtruar ligjit të prokurimit”, ne kemi një ekspertizë të prokurimit e cila konstaton se subvencionet nuk i nënshtrohen ligjit të prokurimit dhe kjo ka qenë arsyeja pse unë e kam bërë tërheqjen në atë pjesë”, ka thënë prokurorja Shamolli.

Aktakuza ndaj tyre ishte ngritur më shtator të 2015-ës, aktgjykimi ishte shpallur në prill të 2019-ës derisa kjo lëndë e njohur si “Stenta 1” ishte kthyer në rigjykim tetë muaj më vonë.

Ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Gani Shabani ishin shpallur fajtorë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në prill të vitit 2019.

Agani ishte dënuar me dy vite e gjashtë muaj burgim, kurse Shabani me dy vite burgim. Por pas ankesave, ky aktgjykim ishte anuluar nga Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit 2019 dhe lënda ishte kthyer në rigjykim në shkallë të parë./Shqip.com