Lajme

Steinmeier për targat: BE mund t’i normalizojë marrëdhëniet Kosovë-Serbi

Frank Walter Steinmeier

Presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier, ka folur për mosmarrëveshjet e fundit midis Kosovës dhe Serbisë dhe të ardhmen e të gjithë Ballkanit.

Në një intervistë për Deutsche Welle, Steinmeier, ka deklaruar se zgjidhja e konfliktit, ndoshta ka treguar edhe një herë se sa e rëndësishme është Evropa.

“Për sa i përket konfliktit, mendoj se kjo shkon me pyetjen e fundit, sepse zgjidhja e konfliktit ndoshta ka treguar edhe një herë se sa e rëndësishme është Evropa, sa i rëndësishëm është Bashkimi Evropian në rajon. Evropa e ka këtë fuqi negociuese, këtë mundësi negociuese dhe arriti ta shmangë këtë konflikt, në pamje të parë të vogël, atëherë edhe konfliktet më të mëdha në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës duhet të adresohen, dhe në këtë kuptim, të zgjidhen në mënyrë paqësore”, ka thënë Steinmeier, ndërsa ka hedhur dyshime në seriozitetin e rrugëtimit të Serbisë.

Ai ka thënë se Shqipëria ka bërë hapa vendimtarë drejt rrugës për në Bashkimin Evropian.

“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë hapa vendimtare përpara. Kjo forcon vetëbesimin në këto vende dhe gjithashtu ua bën të qartë të tjerëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, se ky hap ia vlen. Dhe, të mos harrojmë se, përtej çështjes së anëtarësimit në kuptimin e ngushtë të fjalës, edhe gjatë këtij rrugëtimi shënohen përparime”, është shprehur Steinmeier.

Presidenti gjerman ka deklaruar se Ballkani Perëndimor, nuk është lënë në harresë nga Evropa.

Këto komente Steinmeier i bëri pak ditë para vizitës zyrtare në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut. 

/Shqip.com