Lajme

Stavileci: Pushteti arrogant po e thellon krizën dhe varfërinë e familjeve kosovare

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media.

Gjatë konferencë për media, anëtari i kësaj partie Blerand Stavileci është shprehur se tash e dy vite qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të përballen me kriza dhe vështirësi.

Po ashtu Stavileci shtoi se qytetarët tash e një kohë po përballen edhe me krizën e rritjes së çmimeve të produkteve të ndryshme.

“Nisi me pandeminë, vazhdoi me energjinë elektrike, me reduktime dhe shtrenjtime, dhe tani e sa muaj me ngritje marramendëse çmimesh dhe rekorde të zeza inflacioni. Sot si asnjëherë më parë që nga çlirimi, familjet po varfërohen muaj pas muaji dhe gjendja e tyre po rëndohet orë e çast”, ka thënë Stavileci.

Po ashtu Stavileci ka thënë se, fatkeqësisht, ka vetëm një protagonist të munguar, e ky është pushteti.

“Ky pushtet në vend se të ishte në ulësen e parë për t’i dhënë zgjidhjes drejtimin, ka braktisur atë për t’i bërë krizës thellimin. Pushtetit po i mungon veprimi e po i rritet mosdëgjimi. Padija dhe mosdëgjimi po e ushqejnë arrogancën, injorimin dhe diskriminimin e qytetarëve dhe familjeve të tyre” është shprehur Stavileci.

Stavileci ka kërkuar rritje të pagave, rritje të pagës minimale dhe tërheqjen e mjeteve të Trustit./Shqip.com