Lajme

Stano: Vonesat në zbatimin e marrëveshjes me Elektroserverin janë për shkak të aspekteve teknike

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Me 21 qershor të këtij viti në Bruksel nën petkun e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshjen për energjinë.

Në mesin e pikave të marrëveshjes, përmendet se Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) do të lëshojë licencë furnizimi me energji elektrike për kompaninë serbe, “Drustvo Elektrosever D.O.O.” dhe do të sigurojë se puna e kompanisë do të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës.

Mirëpo kjo pikë e marrëveshjes nuk po respektohet.

Lidhur më këtë, Zëdhënësi kryesor për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Peter Stano në një përgjigje për Shqip.com thotë se BE-ja po ndjek nga afër aktivitetet e të dyja palëve në Udhërrëfyesin e Energjisë në kapacitetin e saj si lehtësues dhe garantues i Marrëveshjeve të Dialogut.

“BE-ja po ndjek nga afër aktivitetet e të dyja palëve në Udhërrëfyesin e Energjisë në kapacitetin e saj si lehtësues dhe garantues i Marrëveshjeve të Dialogut. KOST, KEDS dhe Elektrosever janë në komunikim të rregullt. Ata gjithashtu raportojnë rregullisht në BE dhe SHBA” thotë Stano.

Sa i përket vonesës për zbatim të dakordimit mes palëve në Bruksel, Stano deklaron se kjo po ndodhë për shkak të aspekteve teknike.

“Vonesat në zbatimin e Udhërrëfyesit janë për shkak të aspekteve teknike, të cilat BE-ja u ka kërkuar palëve t’i adresojnë pa vonesë. BE-ja po ofron udhëzime se si të adresohen pyetjet e hapura.BE-ja po lehtëson Dialogun ndërmjet Palëve,nuk është arbitër. Përgjegjësia përfundimtare për zbatimin e suksesshëm të Marrëveshjeve të Energjisë dhe Udhërrëfyesit i takon palëve” thotë Stano.

Ne po punojmë me të gjitha palët e përfshira për të gjetur një mënyrë përpara për të kapërcyer vonesën aktuale në zbatim, ka thënë më tutje Stano.

Edhe Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu thotë se në rast të mos respektimit të marrëveshjes, Elektroserverit mund edhe ti merret licenca.

Në një prononcim për Shqip.com, Fejzullahu ka thënë se kjo do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Bordit të ZRRE-së.

“Jemi duke e planifikuar që shumë shpejt me e mbajt mbledhjen e ardhshme, jemi në fazën konsultuese është afati 15 ditë për konsultime, sa i përket afatit shtesë duhet të vendos bordi” ka thënë fillimisht Fejzullahu.

Fejzullahu ka thënë se në pikën 8 përmendet si mundësi edhe marrja e licencës.

“Pika 8 është njëra prej çështje që pritet të diskutohet nga ana e bordit” ka thënë Fejzullahu.

Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së thotë po ashtu se për këtë çështje do të ketë diskutime edhe me eletroserverin, Bashkimin Evropian si palë ndërmjetësuese dhe palët tjera.

“Pas mbylljes së konsultimeve me të gjitha palët e interesit, bordi i ZRRE-së do të marrë vendimin përfundimtar” thotë Fejzullahu.

Marrëveshja për Energji parasheh që qytetarët në veri të Kosovës të paguajnë për rrymën e shpenzuar nga vjeshta e këtij viti – për herë të parë pas më shumë se dy dekadash.

Me Marrëveshjen për Energjinë, është paraparë që kompania Elektrosever të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri.

ZRRE i ka miratuar licencën Elekstrosever-it më 24 qershor, apo para 82 ditësh.

Elektrosever është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë – EPS (Elektroprivreda Srbije), por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka bërë të ditur në Komisionin për Integrime Evropiane se janë ankuar ne Bashkimin Evropian për dështimin e marrëveshjes për Elektroserverin.

“Për Elektroseveri i kemi dërguar Bashkimit Evropian letër që nuk e ka përmbushur afatin prej 100 ditësh, tash është edhe ajo koha shtesë dhe do të presim a do t’i hiqet licenca kësaj kompanie”.

Licencimi i saj është paraparë me Marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë për Energjinë, e cila është arritur në vitin 2013, por pajtimi për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, apo udhërrëfyesin, është arritur më 21 qershor.

/Shqip.com