Lajme

Stabilizohet situata për furnizimin me dokumente në Kosovë

Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës ka njoftuar se situata me furnizimin me dokumente ka filluar të stabilizohet.

Përmes një njoftimi për media thuhet se ky stabilizim erdhi pas pranimit të kontingjentit të ri të dokumenteve blanko.

“Ministria e Punëve të Brendshme njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, se situata e furnizimit me dokumente ka filluar të stabilizohet, pas pranimit të kontingjentit të ri të dokumenteve blanko”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Karash kësaj, përmendet se MPB-ja do të punojë me të gjitha kapacitetet për prodhimin ditor dhe angazhimin e stafit edhe jashtë orarin të rregullt të punës.

“Me qëllim të furnizimit me pasaporta dhe patentë shoferë për ata që janë në pritje si dhe aplikimet e reja, Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht Agjencia e Regjistrimit Civil,  do të punojë me kapacitete të plota të prodhimit ditor dhe angazhimin e stafit edhe jashtë orarit të rregullt të punës”.

Në njoftim thuhet se pajisja e qytetarëve me dokumente do të bëhet sa më shpejtë që është e mundur.

“Ju njoftojmë se, qytetarët të cilët kanë aplikuar në muajin shtator dhe tetor  dhe ato urgjente, tashmë janë pajisur me dokumente, ndërsa do të vazhdojnë të pajisen me dokumente personale të gjithë ata qytetarë të cilët janë në pritje sipas renditjes, respektivisht datës së mëhershme të aplikimit”.

Tutje, MPB-ja ka falëndëruar qytetarët për mirëkuptimin dhe durimin e treguar gjatë këtyre muajve.

/Shqip.com