Lajme Ballkan

Spitali “Zhan Mitrev” në Shkup nën hetim mbi vdekjen e pacientëve prej hemofiltrimit

Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar të hënën për nisjen e hetimeve në spitalin privat të kardiokirurgjisë në Shkup, “Zhan Mitrev”, lidhur me dyshimet për trajtim joadekuat të pacientëve të sëmurë me COVID-19, me pasojë vdekjen e tyre.

Njoftimi i prokurorisë erdhi pas transmetimit të një emisioni të rrjetit, “Laboratori për Gazetari Hulumtuese-IRL”, i titulluar “Gjaku i papastër”.

Skandali, sipas raportit të këtij rrjeti hulumtues, ka të bëjë me trajtimin e të sëmurëve me COVID-19, të cilët u janë nënshtruar filtrimit të gjakut si terapi kundër kësaj sëmundje, raporton Radio Evropa e Lirë.

Një spital në Shkup, emri i të cilit u bë i njohur në Kosovë, sidomos pas shfaqjes së COVID-19, ka trajtuar në mënyrë skandaloze pacientët që kanë shkuar për të kërkuar shërim.

“Zhan Mitrev”, institucion privat i shëndetësisë i emëruar sipas kardiokirurgut që e drejton atë, rastet e pacientëve me COVID-19 i ka trajtuar me metodën e hemofiltrimit, që në shumë raste ka rezultuar fatale për ta.

Spitali privat, “Zhan Mitrev” ka pasur disa lloje ofertash nga 3 mijë, 4 mijë apo 5 mijë euro për metodën e hemofiltrimit. Në disa raste kjo metodë ka rezultuar fatale për pacientët të cilët, pasi kanë pastruar gjakun, janë infektuar me disa lloje të baktereve, e për pasojë edhe kanë vdekur.

Mjeku, Zhan Mitrev

Hulumtimi kishte për bazë 24 raporte të qytetarëve nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova dhe ato janë verifikuar për më shumë se 24 muaj.

Klinika është në pronësi të mjekut me të njëjtin emër Zhan Mitrev, për të cilin IRL-ja thotë se “është një akademik i rremë dhe shumica e njohjeve me të cilat ai mburret mund të blihen për para”.

Po ashtu, më 2020 mjekë kosovarë kishin reaguar në lidhje me një “formulë shërimi” e prezantuar nga mjeku Mitrev, për zemrën dhe kancerin./Shqip.com