Lajme

Spitalet dhe QKMF-të në krizë për barna – Komuna e Deçanit detyrohet të lidh kontratë me një kompani private

Barnatore

Katetera urinare, një nga produktet me koston më të lirë në Kosovë është duke munguar në Spitalin e Gjilanit.

Por, kjo nuk është mungesa e vetëm që kanë ata nga Lista Esenciale e Barnave.

Drejtori i spitalit për rajonin e Gjilanit, Arsim Emini, tha se mungesat janë të shumta dhe kërkesë për pajisje me to kanë bërë tash e një kohë.

“Kemi disa mungesa. E dimë që ka probleme në Prishtinë dhe është fjala për barna esenciale që po reflektohen edhe tek ne. Mundësitë për me i ble barnat nuk i kemi dhe jemi në bashkëpunim me SHSKUK-në që më muajt më na bërë zgjidhje bile të përkohshme derisa t’i përfundojnë procedurat ata”, tha ai për SHQIP.com.

Ai ka treguar se listën e barnat që mungojnë janë të domosdoshme për të zhvilluar punën e tyre.

“Tbl.Haloperidol, Sol.Sevofluuran, amp.Amidaron, amp.Oxythocin, amp.Antitetanus,amp.Ergometrin, sol.Albumin human, amp.Naloxone, urine bag, kateter urinar, gjilpëra spinale, penj Nylon dhe penj Polyglactin janë barnat që kemi mungesë, ndërsa më medikamente tjera jemi të furnizuar mirë”.

Në situatë të ngjashme QKMF-ja e Deçanit

Në situatë kritike me furnizim të rregullt me medikamente nga lista esenciale është edhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Deçan.

Drejtori i QKMF-së, Selmon Berisha ka thënë se në situatën që ndodhën janë detyruar të lidhin kontratë më një kompani.

“Lista esenciale nuk është e kompletime dhe nuk jemi të kënaqur me të pasi ka shumë mungesa. Ne kemi bërë kërkesa në Ministrinë e Shëndetësisë në konform me numëron e pacienteve që kemi, por lista me barna nuk ka ardhur. Ajo që është më e rëndësishme se ato ma të domosdoshmet mungojnë, kështu që na kemi qenë të obliguar që të bëjmë kontrata me kompani të tjera që më i kompensu përmes mallrave dhe shërbimeve tona”.

“Kemi bërë kontratë 2 vjeçare me një kompani dhe e kemi dërguar numrin e barnave që nuk mundemi pa to dhe në konform me nevojat që i kemi edhe furnizohemi, por që nuk mund të furnizohemi për të gjithë qytetarët. Jemi furnizuar vetëm për rastet urgjente që vijnë pas orës 24 që mos të pësojnë për shkak të mungesës së një medikamenti shumë të thjeshtë”.

Ai tha se mosfunksionimi i asnjë barnatore pas orës 24:00 në këtë komunë vetëm se vështirëson punën e tyre.

“Ajo që e bënë më të vështirë këtë situatë është se pas orës 24 në komunën tonë nuk ka ndonjë barnatore të hapur. Dhe në qoftë se ndonjë pacient vjen me një sulm kardiak që duhet me të ia ofrojmë ndihëm e parë ne jemi të detyruar t’i kemi ato medikamente, pra i kemi plotësuar me tender barnat që kanë qenë të nevojshme”.

SHQIP.com ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka marrë përgjigje.

Ndryshe, SSHKUK ditë më parë përmes një komunikatë për media ka bërë publik listën e kompanive farmaceutike që nuk e kanë respektuar kontratën.

“Me qëllim të rritjes së transparencës dhe informimit të saktë dhe korrekt, Drejtoria e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës ka vendosur të bëjë publike listën e kompanive farmaceutike që kanë bërë vonesa në furnizimin e barnave dhe kanë bërë më shumë shpenzime seriale, në kundërshtim me kontratat e lidhura me SHSKUK”.

Të gjitha këto kompani janë trajtuar me Ligjin e Prokurimit Publik, duke u gjobitur për vonesa./SHQIP.com