Lajme

Spiropali kërkoi diskutim të “troçtë” dhe të hapur, Grupi i PS, edhe pse me dyer të mbyllura, i fshihet debatit politik për çështjen “Balluku”

Pavarësisht se u paralajmërua si një mbledhje me rëndësi, madje e organizuar me format “retreat” me praninë e vetë kryeministrit dhe kryetarit të PS, Edi Rama e me dyer të mbyllura, Grupi Parlamentar i PS-së shmangu një nga temat më të nxehta politike që prej javësh mban të ‘mbërthyer’ mazhorancën: atë për imunitetin e Belinda Balluku. Edhe pse mazhoranca në shumicë absolute ishte në linjën e kryesocialistit Edi Rama për t’i dalë në krah ish-vartëses së tij, Balluku – gjë e cila u konfirmua në Parlament, lidershipi u duk më i shqetësuar, nisur nga dinamika e ngjarjeve të mëpasme, nga qëndrimi i Elisa Spiropalit i shprehur publikisht por edhe me vepra.

Pak ditë më parë, ish-ministrja e Jashtme kishte kërkuar zhvillimin e një mbledhjeje të hapur për të diskutuar mbi qëndrimet që ajo ka mbajtur lidhur me çështjen e Ballukut.

Në 9 mars, Spiropali refuzoi të ngrinte dorën teksa kreu i grupit, Taulant Balla hodhi në votim partiak rrëzimin e kërkesës së SPAK. Por ajo nuk ishte e vetmja. Edhe dy deputetë të tjerë të PS, Eduart Shalsi dhe Fatmir Xhafaj bënë të njëjtën gjë si Spiropali, nuk e kanë të arsyeshme të votonin ‘partizançe’.

3 ditë më pas (12 mars), Spiropali vijoi ‘rebelimin’, duke mos marrë pjesë në votimin parlamentar për imunitetin e Ballukut, teksa mazhoranca me forcën e kartonëve, 82 vota, e mori në mbrojtje ish-zv/kryeministren, duke kthyer mbrapsht kërkesën e Prokurorisë së Posaçme. 2 deputetët që dolën nga rreshti në 9 mars, Shalsi dhe Xhafaj, në Kuvend morën pjesë në votim, krahas socialistëve të tjerë.

Në fakt, që në krye të herës pritej që kërkesa e SPAK të hapte një debat të brendshëm në PS për një nga vendimmarrjet më delikate të mazhorancës në raport me drejtësinë, gjë e cila realisht nuk ndodhi. Idetë, mendimet dhe argumentet nuk u lejuan të shpreheshin hapur.

Pasi Spiropali refuzoi të votojë në rresht pro Ballukut, ‘i ngacmuar’ nga gazetarët Taulant Balla deklaroi se do të merrte “një vendim për këtë rast”, pasi të kishte pyetur grupin parlamentar socialist. Elisa Spiropali nuk vonoi në përgjigjen e saj, teksa sfidoi hapur dhe i kërkoi Ballës të mblidhte grupin e deputetëve pa humbur kohë dhe kërkoi që të flitej troç.

“Nëse çështja kërkon konsultim me grupin parlamentar, atëherë është pikërisht ajo që duhet bërë pa vonesë. Thirre grupin dhe zhvillojmë një diskutim të plotë. Vendimmarrja kolektive është forca e grupit të PS dhe garancia e legjitimitetit politik. Çdo qëndrim që del nga një diskutim i hapur, i troçtë dhe i ndërgjegjshëm, meriton respekt, pavarësisht drejtimit që merr”, shprehej Spiropali.

Por sot, pavarësisht “pompozitetit” të mbledhjes së sotme dhe pritshmërive për një sqarim politik, lidhur me qëndrimet e ish-ministres së Jashtme dhe pozicionin e saj të ardhshëm, një diskutim i tillë nuk ndodhi.

Elisa Spiropali ishte sot e pranishme në mbledhjen e grupit parlamentar në ambientet e Pallatit të Brigadave, por për asnjë moment nuk u kërkua të shtrohej për debat çështja e votimit apo arsyet e mungesës së saj në seancën e 12 marsit. As Taulant Balla, i cili promovoi idenë e diskutimit kolegjial për Spiropalin, por as kryeministri dhe njëherazi kreu i PS, Edi Rama nuk kanë shtruar për asnjë moment diskutimin mbi qëndrimet e Spiropalit.

Një anashkalim ky që me gjasë fsheh frikën e një përhapje të trysnisë politike brenda mazhorancës, drejt një ‘vatre konflikti’ që ndoshta mendohet e pakontrollueshme në vijim.

Në fund, mbledhja e shumëpritur rezultoi më shumë një ushtrim formal sesa një moment reflektimi politik apo fundja edhe për t’i bërë “gjyqin” Spiropalit e rikonfirmuar avokatinë politike për Belinda Ballukun. E dyta ka ndodhur tanimë e demonstruar me vepra konkrete, por e para ende jo – ndonëse nisur nga precedentët dhe rrethanat, duket i pritshëm.

“Retreat”-i i sotëm i socialistëve prodhoi më shumë heshtje sesa përgjigje, se kush ka të drejtë; Elisa Spiropali që guxoi të ngrejë zërin bashkë me shumë syresh të cilët për momentin kanë zgjedhur të rrinë ‘urtë’ apo pjesa tjetër e grupit që deri tani dikton vendimmarrjen politike të PS.

Një mbledhje që u mbyll ashtu siç nisi, si një shfaqje pa skenar, ku askush nuk foli për atë që duhej thënë dhe për të cilin u kërkua mbledhja e Grupit socialist. Problemet u futën sërish “nën tapet”, ndërsa ndasitë mbetën pezull, si një krisje që pret vetëm momentin për t’u bërë çarje. Dhe kjo, tashmë, duket thjesht çështje kohe!

Lexo më shumë:

/Shqip.com