Lajme

Specialja vazhdon bastisjet në Prishtinë, sot kontrolle te shtëpia e ish-këshilltarit të Thaçit

Foto Ilustruese
Foto Ilustruese

Gjykata Speciale ka vazhduar edhe sot bastisjet në Prishtinë. EULEX në orët e paradites së kësaj të marte ka bastisur shtëpinë e Artan Behramit, ish-këshilltarit të Hashim Thaçit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka konfirmuar operacionet që janë zhvilluar sot në Prishtinë.

Zëdhënësi Cristopher Bennett ka thënë se “Zyra e Prokurorit të Specializuar (SPO) është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë”.

Operacionet e PSP-së po mbështeten nga Policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Një ditë më parë Specialja ka bastisur edhe banesat e dy ish-këshilltarëve të tjerë të Thaçit, Blerim Shalës dhe Bashkim Smakajt.

Behrami të hënën reagoi ndaj bastisjeve, duke thënë se “Gjykata Speciale është fashiste, sepse përndjek, arreston dhe dënon vetëm shqiptarët”.

“Bastisja e shtëpive të kolegëve, Blerimit dhe Bashkimit, është skandaloze dhe e paprecedent. Blerim Shala ka qenë pengesë vetëm për regjimin e Millosheviqit dhe ky regjim e kishte arrestuar atë disa herë. Për katër dekada, Shala ka qenë njëra ndër figurat intelektuale që ka dhënë një kontribut të pashlyeshëm në rrugën për liri, pavarësi dhe shtetndërtim. Ndërsa, Bashkim Smakaj është ndër njerëzit më profesionist që njoh në fushën e sigurisë, njeri që ka ndërtuar shumë institucione të sigurisë në Kosovë nga themelet”, tha Behrami.

/Shqip.com