Lajme Gjykata Speciale

Specialja: Thaçi u rikthye në objektin e paraburgimit brenda ditës

Hashim Thaçi - Ish-presidenti i Kosovës në Hagë

Gjykata Speciale është deklaruar lidhur me vizitën që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka bërë te familja e tij të hënën e 29 majit.

Sipas Gjykatës, gjatë vizitës në Kosovë ai ka qenë nën mbikëqyrje ne Dhomave të Specializuara, të asistuar nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës dhe është kthyer në paraburgim në Hagë po të njëjtën ditë.

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Angela Griep, ka thënë se vizita në familjen e ngushtë të Thaçit ishe për arsye humanitare.

“Të hënën, më 29 maj, Zyra Administrative organizoi një vizitë nën ruajtje për Hashim Thaçin në Kosovë për të takuar anëtarët e familjes së ngushtë, në bazë të urdhrit të Trupit Gjykues. Trupi Gjykues miratoi kërkesën e z. Thaçi për këtë vizitë për arsye humanitare bindëse. I akuzuari vazhdoi të mbetej nën paraburgimin dhe ruajtjen e Dhomave të Specializuara përgjatë gjithë qëndrimit në Kosovë, me ndihmën edhe nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës. Z. Thaçi u rikthye në objektin e paraburgimit në Hagë më të njëjtën ditë”, ka deklaruar Griep në informimin javor të Gjykatës Speciale.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Ata po gjykohen për krime të pretenduara të luftës.

Gjykimi ndaj tyre do të vazhdojë të hënën e 12 qershorit me administrimin e provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

/Shqip.com