Lajme

Specialja fton të intervistohet kosovari i cili në kohë lufte ishte vetëm 6 muajsh

Gjykata Speciale në Hagë
Gjykata Speciale në Hagë

Musa Lekaj, i cili në zgjedhjet lokale të 17 tetorit ishte kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për Asamble Komunale në Deçan, është ftuar për intervistim nga Gjykata Speciale.

Ai e ka quajtur të çuditshme këtë ftesë, duke potencuar faktin se në kohën e luftës së fundit në Kosovë ka qenë vetëm 6 muajsh.

Intervistimi i tij do të bëhet me datë 18 janar 2022.

“Çuditërisht dje kam marrë ftesë nga Zyra e Prokurorit te Specializuar në Hagë që të intervistohem me datën 18.01.2022, ani pse në kohën kur filloi lufta në muajin Mars 1998 unë kam qenë vetëm 6 muajsh!!”, ka shkruar Lekaj në Facebook.

Ndryshe, Gjykata Speciale në Hagë po gjykon krimet e kryera në luftën e fundit në Kosovë.

Disa prej ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë Hashim Thaçin e Kadri Veselin e Jakup Krasniqin, janë duke u mbajtur në paraburgim në Hagë, që nga viti 2020, nën dyshime për krime ndaj njerëzimit gjatë luftës./SHQIP.com