Lajme

Specializantët protestojnë nesër para MSh-së, kanë disa kërkesa

Një grup i specializantëve do të protestojnë të enjten e 9 dhjetorit para Ministrisë së Shëndetësisë.

Kjo protestë do të mbahet pasi Komisioni për Buxhet dhe Financa ua ka refuzuar pagesat për kujdestari.

Dinora Mehmeti, përfaqësuese e specializantëve të Klinikës së Dermatologjisë, tha se kërkesat e tyre do t’i shqyrtojnë deri në pikën e fundit.

“Do të vazhdojmë me protestat në vijim, ne do ta ndjekim rrugën tonë deri pikën e fundit, për arsye se jemi çdo ditë këtu deri në përfundimin e specializimit që është hiq më pak se pesë vite”.

Ajo njoftoi se kanë bërë një kërkesë si paralajmërim për protestë që do të mbahet të enjten nga ora 09:00 te Ministria e Shëndetësisë.

“Nëse nuk kemi përgjigje pozitive ndaj kësaj proteste, gjithashtu do të vazhdojmë deri në rishqyrtimin e buxhetit të Kosovës”.

Dinora Mehmeti, përfaqësuese e specializantëve të Klinikës së Dermatologjisë

Edhe Flamur Lahu, përfaqësues i specializantëve të Radiologjisë, në një prononcim për Ekonomia Online tha se specializantët tash e sa kohë janë duke kërkuar të drejtat e tyre.

Lahu bëri të ditur se kanë katër kërkesa.

E para, kalimi i kategorisë së specializantëve nga vetëfinancimi në të rregullt.

Kërkesa e dytë është çështja e kujdestarive dhe dy të tjera janë ligji i pagave dhe ndryshim-plotësimi i udhëzimit administrativ për shkollim specialistik.

Lahu theksoi se nga muaji korrik është ndërpre pagesa për kujdestari gjatë vikendeve dhe një gjë të tillë sipas tij, është e padrejtë.

“Unë si mjek i ri i Kosovës i bëj thirrje qeverisë, të gjitha organeve kompetente dhe relevante që çështjen e mjekësisë dhe veçanërisht shkollimit të kuadrove mjekësore ta marrin si prioritet nacional të shkallës së parë”./SHQIP.com

Flamur Lahu, përfaqësues i specializantëve të Radiologjisë