Spanja shkëlqen ndaj Kosta Rikës, i shënon shtatë gola

Spanja e ka realizuar fitoren më të thellë deri më tani në Kampionatin Botëror të Katarit.
“Furia e Kuqe” triumfoi 7:0 ndaj Kosta Rikës në xhiron e parë të grupit E në Kupën e Botës.
“Festivalin” e golave e hapi Dani Olmo në minutën e 11-të të ndeshjes, për ta vazhduar Asensio 10 minuta më pas.
Për 3:0 realizoi Ferran Torres nga pika e penalltisë, rezultat më të cilin u mbyll edhe pjesa e parë.
E në të dytën, Spanja realizoi edhe katër herë të tjera. Ferran Torres e shënoi edhe golin e dytë personal dhe të katërtin për Spanjën në minutën e 54-të.
Në të 75-tën, Gavi e shënoi një gol të bukur, kurse Soler realizoi në minutën e 90-të. Alvaro Morata e përmbylli me gola në minutën e 90+3. Me këtë fitore, Spanja tani prin në grupin E me tri pikë, aq sa ka edhe Japonia.
Në vendin e tretë gjendet Gjermania pa pikë, kurse në të fundit Kosta Rika, që po ashtu nuk ka pikë.
/Shqip.com