Lajme

SPAK bën rekurs në Gjykatën e Lartë, kërkon rikthimin e Jamarbër Malltezit në burg

Prokuroria e Posaçme ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, ku kërkon rikthimin e masës së sigurisë arrest me burg për Jamarbër Malltezin, i cili aktualisht ndodhet në masën e arrestit të shtëpisë. Ishte Gjykata e Apelit që vendosi nxjerrjen nga burgu të Malltezit, dhe tashmë SPAK i drejtohet me rekurs Gjykatës së Lartë.

Më 21 nëntor Gjykata e Apelit ndryshoi masën për Malltezin nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”.

Sipas vendimit të Apelit të Posaçëm, Malltezi urdhërohet të mos largohet nga banesa e tij dhe të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që banojnë me të. Megjithatë ai ka mbajtur qëndrime të ndryshme me shkrim në rrjetet sociale, ku e cilëson një përndjekje politike procesin hetimor ndaj tij.

Këtë të premte Apeli i Posaçëm rrëzoi kërkesën e Jamarbër Malltezit për kthimin e telefonit të sekuestruar, ndërkohë që me interes pritet masa e re që SPAK do të kërkojë për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Malltezi u vu në pranga në datën 21 Tetor, dhe pas një muaji u lirua nga qelia. Ai akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, për privatizimin e ish-kompleksit Partizani, në truallin e të cilit dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha ka ndërtuar 17 pallate.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Malltezi ka përfituar nga Berisha, asokohe kryeministër që të merrte pronën e ish-familjarëve të tij, dhe për ta kthyer atë në një kompleks banimi. Sipas prokurorisë së Posaçme, Malltezi kishte fituar më shumë se 5 milionë euro nga investimi në këtë truall.

/Shqip.com