Lajme

SPAK arreston kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro

Me urdhër të SPAK është arrestuar kryebashkiaku në detyrë i bashkisë Himarë, Jorgo Goro.

Lajmi konfirmohet nga burime për Shqip.com.

Sakaq, një reagim ka ardhur edhe nga kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi i cili e quan lajm të mirë arrestimin e Goros, ndërsa inkurajon drejtësinë që të godasë edhe të tjerë zyrtarë të cilët i identifikon si bashkëpunëtorë të kryeministrit Rama.

Ai i bën thirrje kreut të qeverisë ta shkarkojë nga detyra Goron.

Arrestimi i Jorgo Gorës është një lajm i mirë, që duhet të shoqërohet me arrestime edhe të bashkëpunëtorëve zë Edi Ramës, që në shkelje të ligjit kanë përfituar prej tij statusin e investitorëve strategjik. KM duhet me urgjencë të urdhëroj shkarkimim e tij nga detyra“, shkruan Bardhi në rrjetin social “X”.

Mësohet se SPAK ka ngritur ndaj Goros akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Kallëzimi në SPAK është bërë vitin e kaluar nga Fredi Beleri, i dënuar me dy vite burg nga GJKKO për blerje votash, për tjetërsimin e një parcele toke në Dhërmi që i është dhënë Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, me statusin e investitorit strategjik nga Qeveria.

Jorgo Goro akuzohet se si titullar i bashkisë Himarë nuk ka verifikuar kufijtë kadastralë të truallit në fjalë e cila me urdhër të SPAK është sekuestruar disa muaj më parë.

Gjykata e Posaçme bazuar në kërkesën e SPAK, ka vendosur në arrest edhe pronarin e tokës, si dhe arrest shtëpiak për tre persona të tjerë.

/Shqip.com