Lajme

Sot vazhdon rigjykimi ndaj Ferid Aganit e Gani Shabanit për rastin “Stenta 1

Ish-ministri Ferid Agani dhe ish-sekretari Gani Shabani do të ulen sërish sot në bankën e të akuzuarve.

Ata do të ballafaqohen me akuza për korrupsion sa ishin në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.

Aktakuza ndaj tyre ishte ngritur më shtator të 2015-ës, aktgjykimi ishte shpallur në prill të 2019-ës derisa kjo lëndë e njohur si “Stenta 1” ishte kthyer në rigjykim tetë muaj më vonë.

Seanca e fundit e mbajtur, më 1 prill, kishte dështuar shkaku se palët kishin kërkuar kohë për analizim të ekspertizës financiare

Ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Gani Shabani ishin shpallur fajtorë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në prill të vitit 2019.

Agani ishte dënuar me dy vite e gjashtë muaj burgim, kurse Shabani me dy vite burgim. Por pas ankesave, ky aktgjykim ishte anuluar nga Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit 2019 dhe lënda ishte kthyer në rigjykim në shkallë të parë.

Ish-ministri Agani së bashku me ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani, po akuzohen se kishin keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare me rastin e lidhjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit me spitalet private, si dhe me ndarjen e mjeteve për pacientët që ishin trajtuar në këto spitale.

Sipas aktakuzës e cila ishte ndryshuar në fjalën përfundimtare të mbajtur më 18 prill 2019, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në periudhën kohore prej 22 prillit 2012 deri më 31 dhjetor 2015, të akuzuarit Agani dhe Shabani, duke vepruar në bashkëkryerje me njëri tjetrin dhe në bashkëpunim me të akuzuarit tjerë në këtë rast, Ali Hocaoglu dhe Borche Petrovski dhe duke shkelur ligjin e prokurimit publik kanë keqpërdorur pozitën e tyre.

Më ketë, sipas aktakuzës, Agani dhe Shabani kishin kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, me çka kishin dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumë prej 4,555,553.00 euro./Shqip.com