Lajme

Sot takohen Kurti e Vuçiq

Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq / Profimedia;Armend NIMANI / AFP / Profimedia; shutterstock

Sot në Bruksel do të takohen kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, takim ky i pari i nivelit të lartë, pas atij të Ohrit ku u dakorduan për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes.

Në njoftimin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë është bërë e ditur se përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell me mbështetjen e Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajçak  do të zhvillojë një takim të përbashkët me liderët duke filluar nga ora 18:00.

Më tej bëhet e ditur se takimi do të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Palët pritet të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet nga prezantimi/diskutimi mbi draft-statutin e parë të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë Serbe në Kosovë.

Palët do të kenë gjithashtu mundësinë të diskutojnë çështje aktuale me rëndësi politike”, thuhet në njoftim.

Në fund të takimit, pritet një deklaratë e përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell.

Dje, Kurti përmes një postimi në Twitter ka thënë se e ka shfrytëzuar për t’i bërë përgatitjet para takimit, përderisa ka shtuar se përgatitja për negociata është komplekse dhe e thjeshtë.

“Komplekse sepse ka një mori informatash dhe detajesh mes shumë gjërave të tjera, por e thjeshtë sepse dëshirat e Kosovës janë të qarta, të thjeshta dhe fisnike”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Kurse, diten e djeshme, këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet ka bërë të ditur se e ka zhvilluar një bisedë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti një ditë para takimit të kryeministrit të Kosovës me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Sipas Chollet, në këtë bisedë është diskutuar edhe për rëndësinë e implementimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në mënyrë të menjëhershme.

/Shqip.com