Lajme

Sot protestohet për tërheqjen e 30% të Trustit

Sot do të mbahet një marsh paqësor për votimin e projektligjit për tërheqjen e 30 përqindëshit të Trustit.

Lajmi është bërë i ditur nga organizatori, Adnan Jashari, i cili për SHQIP.com ka thënë se presin që protesta të jetë masive, pasi interesimi ka qenë i madhe.

“Presim që protesta të jetë masive sepse interesimi ka qenë i madhe edhe në grup. Kemi vendos për sot për shkak që është ditë pushimi për shumicën e punëtorëve”.

Marshi do të fillojë nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës, në orën 10 e 30, ndërkaq në orën 12 marshuesit do të jenë para qeverisë.

Rreth katër muaj më parë, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kishin arritur që të votojnë për Projektligjin për tërheqjen e 30 % të mjeteve nga Trusti.

Për këtë projektligj kishin votuar gjithsej 102 deputet ku prej tyre 44 pro, 57 kundër dhe 1 abstenim.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se tërheqja e mjeteve nga Trusti, e shkatërron të ardhmen e pensionistëve.

/Shqip.com