Lajme

Sot pritet të miratohen masat e reja antiCOVID

Ilustrim

Gjatë së premtes pritet që Qeveria e Kosovës të miratojë masat e reja kundër përhapjes së Coronavirusit.

Propozimet e Ministrisë së Shëndetësisë pritet që të hyjnë në fuqi prej nesër. Këto masa përfshijnë kufizimin e lëvizjes nga ora 22:00 deri në orën 05:00, ndërsa gastronomia do të lejohet të zhvillohet deri në orën 21:00.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.

Hoti deklaroi se qytetarët që hyjnë në Kosovë duhet të kenë të tri dozat e vaksinës anti-COVID, apo edhe dy doza dhe testin PCR negativ.

Ai u shpreh se do të angazhohen që të ketë zbatim dhe mbikëqyrje më të rreptë të këtyre masave, sidomos në qendrat tregtare.

Faik Hoti, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë

“Do të ketë kufizime sa i përket lëvizjes e dini që përpara ka qenë koha kur nuk ka pasur lëvizje nga ora 24:00 deri në 05:00 të mëngjesit, ndërsa tani kufizimet fillojnë nga ora 22:00 që automatikisht nënkupton që sektori i gastronomisë do të punoj një orë më pak që do thotë që veprimtaritë duhet të mbyllen në orën 21:00 si dhe do të ketë edhe masa tjera pa përjashtuar ndonjë sektor në mënyrë të veçantë. […]”.

“Presim që disa masa të prekin edhe qendrat e ndryshme tregtare ku qytetarët apo klientët që duhet të frekuentojë ato duhet të jenë të vaksinuar ose ata që refuzojnë vaksinimin duhet të kenë dëshmi mjekësore pse nuk mund të vaksinohen sepse kemi konsideruar se faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e rasteve Omicron janë këto institucione apo veprimtaritë super shpërndarëse dhe qendrat tregtare janë disa prej tyre”, theksoi ai.

Gjatë 24 orëve në Kosovë, një person ka humbur jetën si pasojë e COVID-19, ndërsa janë regjistruar dhe 2 mijë e 708 raste të reja./SHQIP.com