Lajme

Sot pritet të bëhet çertifikimi i kandidatëve për kryetar të komunave në veri

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi

Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që të bëjë certifikimin e kandidatëve për kryetar të komunës në katër komunat veriore të Kosovës.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Elezi tha se ky komision zgjedhor pritet që ta mbajë mbledhjen duke filluar nga ora 13:00.

“Sot (e hënë, 28 nëntor, ora 13:00) mban mbledhjen e radhës. Në rend të ditës është certifikimi i kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, të cilat do të mbahen më 18 dhjetor”, tha Elezi.

Sipas Elezit, në rend të ditës parashihet të bëhet edhe emërimi i komisioneve komunale.

“Po ashtu, në kuadër të përgatitjeve për organizimin e këtyre zgjedhjeve, në rend të ditës është edhe emërimi i komisioneve komunale të zgjedhjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 18 dhjetorit”.

Kujtojmë se me rritjen e tensioneve në veri të Kosovës për shkak të vendimit të Qeverisë për targat, Lista Serbe së bashku me punonjësit serb kanë dalur nga institucionet e Kosovë.

Kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës kanë ofruar dorëheqjet e tyre së bashku me dhjetë deputetet e Listës Serbe.

Gjykata Themelore e Mitrovicës ka mbetur tashmë vetëm me punonjës të komunitetit shqiptarë.

Vlen të theksohet se Kosova dhe Serbia tashmë kanë arritur marrëveshjen për targat.

Me këtë marrëveshje, Kosova është obliguar të mos i zbatojë masat e parapara për targat ilegale në Kosovë ndërsa, Serbia obligohet që të moslëshojë më targa për shoferët serb të Kosovës.

/Shqip.com