Lajme

Sot nisin reduktimet e energjisë elektrike në Kosovë

Qytetarët e Kosovës sot do të përballen me reduktime të energjisë elektrike.

6 orë me rrymë dhe 2 pa të, kështu do të jenë reduktimet nga dita e sotme ka njoftuar KEDS.

Në njoftimin e dhënë nga KEDS-si, thuhet se kanë pranuar urdhëresë nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) për të nisur kufizimet e energjisë elektrike.

”KEDS njofton që ka pranuar urdhëresë nga Qendra Nacionale Dispecerike e Kosovës, pjesë e KOSTT, që të fillojë me kufizimet e energjisë elektrike nga ora 8:00 e të hënës. Këto kufizime, në bazë të planit të dërguar do të jenë deri në 2 orë për të gjithë konsumatorët. Pra, konsumatorët gjatë ditës së hënë do të kenë nga 6 orë energji elektrike dhe 2 orë kufizime. Prej nesrit, vendi do të furnizohet vetëm nga prodhimi vendor”, thuhet në njoftim.

KEDS

Sipas KEDS-it, reduktimet kanë ardhur si shkak i mungesës financiare dhe ngritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Ditë më parë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në një konferencë për media ka thënë se ballafaqimi me mungesë të energjisë elektrike është i pashmangshëm andaj apeloi që të kursehet rryma.

Sipas saj. Qeveria po punon për gjetjen e zgjidhjeve teknike e operacionale për të realizuar subvencionimin e aprovuar prej 90 milionë euro për energjinë elektrike.

Në anën tjetër, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka pranuar Aplikimin për Shqyrtim të Jashtëzakonshëm të të Hyrave të Lejuara Maksimale për Furnizuesin me Shërbim Universal (FSHU)./Shqip.com