Sport Shqiptar

Sot nis edicioni i ri në futbollin kosovar

Edicioni 2023/24 në Superligën e Kosovës në futboll nis sot me dy ndeshje të javës së parë.

Prishtina – Feronikeli ’74 e Dukagjini – Malisheva e hapin kampionatin e sivjetmë.

Prishtina si mikpritëse ndeshjen do ta zhvillojë në kampin nacional të FFK-së në Hajvali, për shkak të fushës së rënduar në stadiumin “Fadil Vokrri”, e cila pritet të riparohet për ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës që do t’i zhvillojë në shtator.

Pavarësisht këtij fakti, kryeqytetasit janë optimistë se kampionatin do ta nisin me fitore.

Mirëpo, me të njëjtin nsynim është edhe skuadra nga Drenasi, e cila u inkuadrua në Superligë, ndërkohë që ka bërë përforcime shumë cilësore.

Ndeshja tjetër e së shtunës është ajo që luhet në Klinë. Do të përballen Dukagjini e Malisheva. Dukagjinit këtë edicion e ka nisur më herët, pasi u paraqit në raundet kualifikuese të Ligës së Konferencës. E kaloi raundin e parë pasi eliminoi FC Europan e Gjibraltarit, ndërsa u ndal në të dytën nga Rijeka e Kroacisë.

Edhe Malisheva ka bërë ndryshime të mëdha gjatë verës.

Dy ndeshjet tjera zhvillohen nesër (të dielën), ndërsa ajo ndërmjet Fushë Kosovës e Gjilanit është shtyrë për më vonë.

E shtunë (17:00)
Prishtina – Feronikeli ‘74
Dukagjini – Malisheva

E diel (17:00)
Liria – Ballkani
Drita – Llapi

/Shqip.com