Lajme

Sot në Mitrovicë protestohet për vdekjen e 19-vjeçares që dyshohet se i dha fund jetës pas kërcënimeve nga i fejuari

Komuna e Mitrovicës.

Sot në Mitrovicë do të protestohet për vdekjen e 19- vjeçares e cila dyshohet se i dha fund jetës pas kërcënimeve që merrte nga i fejuari i saj.

Protesta do të organizohet në orën 12:00, para Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Protesta organizohet për t’u bërë thirrje institucioneve përkatëse që rastin ta trajtojnë me prioritet dhe në mënyrë profesionale që fajtori ta merr dënimin e merituar.

“Ky sistem e kjo mendësi të ndryshojë, që fëmijët tonë të ndihen të sigurt dhe jo të vetmuar. Të mos ndodhin më vetëvrasje dhe kërcënime tjera që çojnë në vetëvrasje, dhe të mos ndodhë edhe një humbje jete”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, në lidhje me rastin është arrestuar personi i dyshuar, të cilit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.

Hetimet në lidhje me këtë rast do të vazhdojnë nga ana e hetuesve të NJHR-së në koordinim me prokurorin e shtetit./SHQIP.com