Lajme

Sot në Bruksel, Samiti BE-Ballkani Perëndimor, çfarë pret Shqipëria dhe “pengesa” greke

Ditën e sotme zhvillohet në Bruksel Samiti i BE me vendet e Ballkanit Perëndimor me fokus hapjen e 5 kapitujve të parë anëtarësimit në familjen e madhe europiane për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Nga 27 vendet e BE-së, Greqia është i vetmi shtet që nuk ka firmosur dokumentin e përbashkët për hapjen e pesë kapitujve themelorë të negociatave, duke kërkuar fillimisht betimin e Fredi Belerit si kryetar bashkie të Himarës. Por GJKKO në një vendim të marrë këtë të hënë (11 dhjetor) hodhi poshtë kërkesën e Belerit për t’i dhënë leje që të betohej duke e konsideruar të pabazuar në ligj.

Gazeta greke Kathimerini, duke cituar burime diplomatike nga Brukseli thotë se “kanë konfirmuar lëvizjet e pritshme të qeverisë së Athinës, e cila nuk do të dakordësohet në vijimin e progresit të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit”.

Sipas kësaj gazete “Këshilli Europian për çështje të Përgjithshme ka diskutuar për zgjerimin, përfshi mundësinë e ndarjes së proceseve integruese të Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut”.

Ndërkohë zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano ka qenë i qartë lidhur me qëndrimet e Greqisë duke i thënë se nuk duhet të krijojë krisje të panevojshme në marrëdhëniet dypalëshe. Stano thekson se në këtë çështje zbatohet sundimi i ligjit.

Qëndrimi i Greqisë është quajtur i papranueshëm edhe nga Berlini zyrtar.

Nga ana tjetër kryeministri Rama që do marrë pjesë në Samitin e Brukselit gjatë Kongresit të PS tha se qëndrimi i Shqipërisë për çështjen Beleri nuk do të ndryshojë, as para e as pas takimit të 13 dhjetorit. Ai u shpreh skeptik nëse Greqia do të vendosë veton për të penguar avancimin e Shqipërisë në rrugën drejt BE.

Shqipëria pret hapjen e 5 kapitujve të parë të negociatave për anëtarësim në BE.

“Unë nuk do të pranoj deri në 13 dhjetor se fqinjët tanë do t’i vënën tapën e vetos shishes së hapur me aq shumë përkushtim. E qartë asnjë cic-mic ballkanik, apo gërr-gërr perëndimor për interesa politike nuk e vonon dot Shqipërinë në anëtarësimin në BE. Tani ka dalë Greqia… nesër mund të dalë dikush tjetër. Por përse për këta do ta prishim gjakun ne? Nuk duhet ta humbasim kurrë busullën ku BE, Europa është amaneti ynë dhe është borxhi historik vijën ndarëse mes demokracisë“, ka thënë Rama në Kongresin e PS.

Gjatë samitit të Brukselit pritet të diskutohen edhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë si dhe normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, si një nga çështjet kryesore që shqetëson të gjithë rajonin. Kjo çështje do të pasqyrohet edhe në deklaratën e përbashkët që do të firmoset nga të gjithë liderët e pranishëm.

Çështje tjetër që pritet të diskutohet është ndërtimi i themeleve ekonomike për të ardhmen dhe zbutjen e ndikimit të agresionit rus kundër Ukrainës

Një konferencë e përbashkët për shtyp do të mbahet nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Po ashtu, udhëheqësit pritet të lëshojnë gjithashtu një deklaratë.

Agjenda, e mërkurë, 13 dhjetor 2023

15:30: Mbërritjet
17:00: Seancë pune
18:15: Foto familjare
18:30: Darkë pune
20:45: Konferencë për shtyp

Samiti është pjesë e zbatimit të agjendës strategjike të Këshillit Evropian 2019-2024, e cila synon të përmirësojë sigurinë, qëndrueshmërinë dhe angazhimin global të Bashkimit Evropian. Takimi i fundit mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor ishte në Tiranë më 6 dhjetor 2022.

/Shqip.com