Sport Shqiptar

Sot mbyllet sezoni i rregullt në Superligë

Ilustrim.
Ilustrim.

Gjatë ditës së sotme do të zhvillohen dy ndeshjet e fundit të javës së 28-të, me të cilat do të përmbyllet edhe sezoni i rregullt në Superligën e Kosovës në basketboll.

Ndeshja e parë do të zhvillohet mes Bashkimit dhe Golden Eagle Yllit, në ora 17:00.

Prizrenasit kanë siguruar pozitën e pestë në tabelë dhe nga ajo do të hyjnë në “Play-Off”, pavarësisht rezultatit të sotëm. Bashkimi ka 38 pikë, me bilanc prej 11 fitoreve e 16 humbjeve.

Në anën tjetër, kampionët në fuqi numërojnë 19 fitore e 8 humbje. Ylli e ka të siguruar pozitën e tretë në tabelë, nga e cila edhe do të futet në “Play-Off”. Ylli momentalisht ka 46 pikë.

Ndeshja tjetër do të zhvillohet nga ora 20:00, mes Ponte Prizrenit dhe Sigal Prishtinës.

Pavarësisht rezultatit, prizrenasit do të luajnë në “Play-out” me finalistin e Ligës së Parë, Boran, pasi sezonin e rregullt do ta mbyllin në pozitën e shtatë apo të parafundit në tabelë. Prizreni momentalisht ka 35 pikë, me bilanc prej 8 fitoreve e 19 humbjeve.

Në anën tjetër, për kryeqytetasit fitorja është e domosdoshme për të hyrë në “Play-Off” nga pozita e parë. Prishtina është e dyta në tabelë me 48 pikë, një më pak se Peja lidere.

Prishtinasit deri më tani kanë regjistruar 21 fitore e 6 humbje.

/Shqip.com