Lajme Ballkan

Sot mbahet takimi Rama-Zaev-Vuçiq në Tiranë për “Ballkanin e Hapur”

Edi Rama, Aleksandar Vuçiq dhe Zoran Zaev.

Të martën do të zhvillohet takimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Tiranë në kuadër të “Ballkanit të Hapur”, përcjell Shqip.com.

Ata kanë mbërritur mbrëmjen e së hënës, ku Rama i ka pritur me një darkë mirëseardhje në Elbasan për të shmangur udhëtimin për në Tiranë ku po mbahej protesta e thirrur nga Sali Berisha kundër ardhjes së Vuçiqit.

Liderët do të mbërrijnë në kryeministri rreth orës 09:00 dhe takimi do të zgjasë për disa orë pasi do të nënshkruhen rreth pesë marrëveshje, raporton Top Channel.

“1. Një treg i përbashkët dhe i lirë pune mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. 2. Ngritja e një skeme të përbashkët ndërlidhje elektronike identifikimi për qytetarët në Ballkanin Perëndimor. 3. Marrëveshje ndërqeveritare mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për bashkëpunimin në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore atë të fitosanitarisë në Ballkanin Perëndimor.

4. Marrëveshje Shqipëri-Serbi për njohje e ndërsjellë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS). 5. Marrëveshje Shqipëri-Maaedoni e Veriut për njohje e ndërsjelltë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS)”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Po ashtu, duke filluar nga ora 13:00, liderët do të dalin në një konferencë për shtyp./SHQIP.com