Lajme

Sot mbahet seanca për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Politikani serb, Oliver Ivanoviq.

Sot pritet që të mbahet seanca në rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Nisja e seancës gjyqësore në Gjykata Themelore në Prishtinë, pritet që të filloj nga ora 09:30.

Vlen të theksohet se kjo seancë ishte paraparë për një ditë tjetër, por me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit Nedeljko Spasojeviq, avokatit Faruk Korenica, i cili ishte i angazhuar në një tjetër seancë, ishte shtyrë gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Një gjë e tillë, ishte konfirmuar nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj.

Të akuzuarit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq ngarkohen  se në bashkëpunim edhe me të pandehurit që janë në arrati Zheiko Bojiç, Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç kanë kryer vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Seanca fillestare ishte mbajtur më 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet e provave.

Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve dhe çështja ishte kthyer në rivendosje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas Apelit, në rivendosje nga gjykata e shkallës së parë duhet të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për t’u deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që aktakuza të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.

/Shqip.com