Lajme

Sot mbahet pjesa e dytë e Testit të Arritshmërisë

Testi i Maturës

Sot gjatë ditës pritet të organizohet pjesa e dytë e Testit të Arritshmërisë. Në këtë test pritet të hyjnë mbi 24 mijë nxënës të krasëve të nënta.

Testit pritet të mbahet në 176 qendra të testimit dhe për këtë janë angazhuar mbi 1600 administrues.

Në pjesën e dytë, nxënësit do t’iu nënshtrohen pyetjeve nga Matematika, Informatika, Shkencat Natyrore, Fizika dhe Kimia.

Ndërsa, sa i përket pjesës së parë të testimit, e cila është mbajtur më 4 qershor 2022, MAShTI ka nxjerrë një raport në të cilin janë evidentuar problemet që e kanë përcjellë procesin e mbajtjes së testimit, të cilat janë: mospërmbajtja e rregullave dhe udhëzimeve nga komisionarët dhe administruesit e Qendrave të Testimit dhe përdorimi i telefonave celular nga nxënësit.

“Lidhur me mosrespektimin e udhëzimeve gjatë mbajtjes së pjesës së parë të Testit të Arritshmërisë, MAShTI ka marrë të gjitha informatat nga terreni dhe ka marrë masat adekuate në mënyrë që në pjesën e dytë të testimit të eliminohen të gjitha papërgjegjësitë që janë evidentuar në pjesën e parë.” thuhet në njoftimin e ministrisë.

MAShTI njofton se, bazuar në legjislacionin në fuqi janë ndërmarrë masa ndaj 6 administruesve, ndërsa nxënësve të cilët kanë përdorur telefonin nuk do t’u lejohet të përsërisin pjesën e parë të testimit, pra atyre do t’u llogariten pikët vetëm nga lëndët në pjesën e dytë të Testit./Shqip.com