Lajme

Sot mbahet afati i dytë i provimit të Maturës shtetërore

Testi i Maturës

Për të gjithë maturantët të cilët nuk kanë arritur pragun e kalueshmërisë në afatin e parë, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) organizon sot Provimin e Maturës Shtetërore (afati i dytë).

Testimit në afatin e dytë do t’i nënshtrohen rreth 5084 maturantë në 59 qendra të testimit, ndërsa në këtë proces do të angazhohen rreth 177 komisionerë, 70 mbikëqyrës, 50 vëzhgues nga organizata rinore KYC, si dhe 600 administrues.

Për të mos ndikuar në proces dhe sipas rregullave të administrimit të testit, pas orës 10:00 (koha kur fillon testi) nuk lejohet asnjë person tjetër brenda qendrave të testimit përveç personave përgjegjës për mbarëvajtje të testit. Prandaj, mediet mund të marrin pamje në çdo qendër vetëm para fillimit të Testit të Maturës”, thuhet në njoftim.

Rezultatet e afatit të dytë të Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më së largu me datën 07 shtator.

Provimi i Maturës Shtetërore i parë është mbajtur më 18 qershor 2022, ku mbi 20 mijë maturantë i janë nënshtruar testit./SHQIP.com