Lajme

Sot Gjykata Themelore në Prizren anuloi 30 seanca

Gjykata Themelore në Prizren

Sot gjatë ditës së mërkure, në Gjykatën Themelore në Prizren janë anuluar 30 seanca.

Kjo ka ndodhur për shkak se kjo gjykatë është duke respektuar vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, zyrtari për informim i kësaj gjykate, Marcel Lekaj.

Në informacionin e dhënë, nga 30 seanca të anuluara, 8 prej tyre ishin nga Departamenti I Krimeve të Rënda dhe për të Mitur, 18 prej tyre nga Departamenti i Përgjithshëm- Divizioni Penal dhe 4 nga Divizioni Civil.

Në mbledhjen e KGJK-së, është miratuar lista me shërbimet esenciale me të cilat do të punojnë tani e tutje gjykatat, deri në një vendim të radhës të Këshillit. 

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, në një konferencë për medie, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të anulojë vendimi, me të cilin iu ulen pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Zogaj tha se kanë marrë vendim, me të cilin puna e gjykatave reduktohet dhe do të punohet vetëm me shërbime esenciale. 

Po ashtu, edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), mori vendim me të cilin reduktohet puna e Prokurorive dhe punohet vetëm me staf esencial.

Si KGJK, ashtu edhe KPK, kanë njoftuar se nëse Qeveria nuk e anulon vendimin deri më 8 dhjetor, do të marrin masa të tjera.

Vendimi i KGJK-së dhe KPK-së erdhi pas vendimit të Qeverisë, me të cilin gjykatësve dhe prokurorëve iu ulen pagat.

Ndryshe, në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti mori vendim me të cilin, pagat në sistemin e drejtësisë u kthyen siç ishin para vendimit të marrë në vitin 2017, nga Qeveria Haradinaj.

/Shqip.com