Lajme

Sot fillon votimi përmes postës

Ilustrim

Të mërkurën e 15 shtatorit ka filluar periudha e votimit përmes postës për zgjedhjet lokale, periudhë kjo e cila përfundon më 15 tetor, ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sipas njoftimit, gjatë kësaj periudhe, të drejtën për të votuar përmes postës e kanë të gjithë aplikuesit e regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së zhvilluar nga data 10 korrik deri më 18 gusht.

Numri i aplikuesve të cilët janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës dhe që mund të votojnë përmes postës është: 15 mijë e 532.

Përmes një postimi në Facebook, KQZ ka treguar hapat që duhet ndërmarrë për të kryer këtë lloj votimi.

“Në fletëvotimin për Kryetar Komune, i cili është me kornizë ngjyrë të verdhë, ku janë të renditur emrat e kandidatëve, ju duhet të shënjoni vetëm një kandidat. Në fletëvotimin për Kuvend Komunal, i cili është me kornizë ngjyrë të kaltër, në anën e majtë, ju duhet të shënjoni vetëm një subjekt politik, kurse në anën e djathtë të tij duhet të shënjoni vetëm një kandidat”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Po ashtu, bëhet e ditur se fletëvotimet për votim përmes postës duhet të arrijnë në KQZ deri më 15 tetor 2021.

Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen më 17 tetor./SHQIP.com