Lajme

Sot fillon regjistrimi i popullsisë në Serbi, Kamberi, Mustafi e Arifi i bëjnë thirrje shqiptarëve të regjistrohen

Që nga sot në shtetin e Serbisë pritet të bëhet regjistrimi i popullsisë.

Deputeti i vetëm shqiptarë në kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi i ka bërë thirrje të gjithë popullatës shqiptare që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe të regjistrohen.

“Nga nesër e deri më 31 Tetor, bëhet regjistrimi i popullsisë. Prandaj, duke e pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi dhe duke e ditur që është moment shumë i rëndësishëm në përgjithësi, Ju ftoj që t’ju përgjigjeni e të regjistroheni që të gjithë. Në Luginë kemi peshë aq sa jemi. E jemi shumicë. Prandaj le ta dëshmojmë e le të jemi në krye të kësaj përgjegjësi kombëtare. Regjistrohu ti. Regjistro familjen tënde. Të regjistrohemi të gjithë” ka shkruar Kamberi.

Shaip Kamberi – deputet në parlamentin e Serbisë

Edhe kryetari i Këshillit Kombëtar, Ragmi Mustafi ka bërë thirrje që të shfrytëzohet kjo e drejtë nga ana e popullsisë shqiptare.

“Nesër fillon regjistrimi i popullsisë, ky është një moment historik e i rëndësishëm, për dy dekada kishim më pak shërbime e më pak institucione, le ti përgjigjemi diskriminimit me regjistrim, le ti përgjigjemi pasivizimit me regjistrim, le të regjistrohemi të gjithë” ka thënë Mustafi.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi

Edhe Kryetarit i Komunës së Preshevës Shqiprim Arifi ka bërë thirrje që të regjistrohet.

“Regjistrimi është një proces i rëndësishëm, Lugina gjithmonë ka dëshmuar që është e gatshme për të mbrojtur identitetin kombëtar” ka thënë fillimisht Arifi.

Shqiprim Arifi- Kryetar Komuës së Luginës së Preshevës

Ai ka shtuar se në vitin 2021 ky proces ishte bojkotuar nga ana e spektrit të atëhershëm politik.

“Bojkotimi i procesit të regjistrimit në vitin 2021 ka pasur pasoja të cilat janë prezentë edhe sot, ky proces na ndihmon që kërkesat tona ndaj Serbisë të jenë më të fuqishme” ka thënë Arifi.

Procesi i regjistrimit në shtetin e Serbisë pritet të zgjatë deri me 31 tetor.

Ndryshe gjatë ditës së djeshme Qeveria e Kosovës vendosi që regjistrimi i popullsisë në Kosovë të zhvillohet nga 1 shtatori deri me 17 tetor të vitit 2023./Shqip.com