Lajme

Sot ditë zie në Kosovë, në nderim të ish sekretares amerikane Madeleine Albright 

Ish sekretarja e shtetit amerikan, Madeleine Albright

Sot në Kosovë është shpallur ditë zie në nderim të Madeleine Albright, ish Sekretares Amerikane të Shtetit.

Ky vendim është marrë nga presidentja, Vjosa Osmani.

Me këtë rast flamujt shtetëror ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

“Në shenjë respekti shtetëror, dita e premte, datë 25 mars 2022, shpallet ditë zie në Republikën e Kosovës për të kujtuar miken e madhe të Kosovës, Madeleine Albright e cila u nda nga jeta dje.

Zonja Albright e njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë.  E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, ka thënë Presidentja Osmani.

Medeleine Albright gjatë vizitës në Kosovë

Albright ka vdekur të mërkurën në moshën 84-vjeçare.

Albright ishte gruaja e parë sekretare e shtetit të SHBA-së, e cila ndihmoi në drejtimin e politikës së jashtme perëndimore pas Luftës së Ftohtë.

Ajo vlerësohet për ndikimin e madh për të bindur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe botën për krimet që po kryheshin në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe.

Në qendër të Prishtinës, në vitin 2019 ishte zbuluar busti i saj në shenjë nderimi për rolin e Albright për çlirimin e Kosovës, 20 vjet më parë./SHQIP.com