Sot “Derbi i Anamoravës” dhe dy ndeshjet tjera të xhiros së 33-të
Superliga e Kosovës vie në mesjavë me tre ndeshje interesante.
Duelet e xhiros së 33-të luhen të gjitha me fillim nga ora 15:00.
Kryendeshja e kësaj xhiro është pa dyshim “Derbi i Anamoravës” në mes Gjilanit dhe Dritës.
Sfida luhet në stadiumin ndihmës me bari sintetik në Gjilan, me të dyja skuadrat që luajnë për pozitën e dytë.
Kjo pasi që lideri i tabelës, Balkani është veçse kampion – për çka i duhet vetëm një pikë të enjten si vendas ndaj Malishevës.
“Bardhekuqtë” janë në formë më të mirë, ku në pesë ndeshjet e fundit kampionale kanë tre fitore dhe dy humbje, përderisa “Bardhekaltrit” kanë regjistruar vetëm një fitore dhe nga dy humbje dhe barazime.
Madje, ata kanë bilanc më të mirë edhe në ndeshjet direkte, ku në tre të fundit kanë marrë dy fitore dhe një barazim.
Megjithatë, derbi më i zjarrtë lokal nuk ka asnjëherë favorit para ndeshjes, sepse klubet luajnë më shumë se sa për te pikë.
Gjithashtu, tribinat do të jenë të zbrazëta kësaj here – aty ku “Skifterat” dhe “Intelektualët” i japin derbit veçantinë që ka.
Ndeshje tjera që luhen sot janë ato në mes Dukagjinit që e pret Ulpianën dhe Feronikeli i shkon Prishtinës në “Fadil Vorkrri”.
Në Klinë, djemtë e Armend Dallkut synojnë vetëm pikët e plota ndaj lipjanasve që janë tashmë të rënë nga liga – dhe do të shfrytëzojnë momentumin e mirë prej katër fitoreve radhazi.
Kurse, Prishtina që humbi pikërisht ndaj Dukagjinit do të synojë të sigurojë ikjen nga barazhi me një fitore ndaj ekipit të fundit në renditje.
“Indusrialistët” nuk dijnë për fitore në 24 ndeshjet e fundit, me vetëm dy barazime ndër to dhe do të luajnë në Ligën e Parë edicionin e ardhshëm. /Shqip.com