Kulturë

Sopranoja kosovare nderohet me çmim nga Fondacioni operistik i Hamburgut

Elbenita Kajtazi

Sopranoja kosovare Elbenita Kajtazi, po vazhdon të shënojë suksese në skenat botërore.

Së fundmi Kajtazi, është nderuar me çmimin “Dr. Wilhelm Oberdörffer – Preis”.

Çmimi jepet nga Fondacioni operistik i Hamburgut për artistë të cilët kanë treguar suksese të mëdha gjatë sezoneve të fundit.

Këtë e ka bërë të ditur vetë sopranoja në rrjetin social Facebook, duke u shprehur mirënjohëse dhe e lumtur për çmimin.

“Të dashur miq, sot jam shumë e lumtur të ndaj me ju një lajm të mrekullueshëm për rrugëtimin tim si këngëtare lirike.  Mbrëmë me kënaqësinë më të madhe kam pranuar çmimin “Dr. Wilhelm Oberdörffer – Preis“ çmim ky i cili ipet nga Fondacioni operistik i Hamburgut për artistë të cilët kanë treguar suksese të mëdha gjatë sezoneve të fundit”, ka shkruar ajo.

Tutje, Kajtazi ka ndarë edhe vlerësimin që thuhet në certifikatë.

“Elbenita Kajtazi jo vetëm që ka një talent të veçantë, ajo është edhe një muzikante shumë zgjuar. Vitet e fundit ajo hap pas hapi është rritur në rolet më kërkuese. Së fundmi, si Manon dhe Violetta, ajo ka dëshmuar se në një mbrëmje operistike mund të shkëlqej dhe të zgjoj gjithë publikun në këmbë. Arti i saj i pasionuar, i dashur dhe në të njëjtën kohë shumë natyral e bën atë një artiste që vlerësohet si nga kolegët ashtu edhe nga publiku”, thuhet në certifikatë.

Sopranoja, për 8 vjet ka punuar në Gjermani për zhvillimin e një rrugëtimi operistik./Shqip.com