Lajme

Sopjani: Mund të ketë incidente të vogla në ditën e zgjedhjeve në Veri

Ish-inspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Shkëlzen Sopjani
Ish-inspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Shkëlzen Sopjani

Më 23 prill, qytetarët me të drejtë vote në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, do t’u drejtohen qendrave të votimit, për të zgjedhur katër kryetarë të rinj dhe dy përbërje të reja të asambleve komunale.

Ish-inspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Shkëlzen Sopjani, ka deklaruar se gjatë kësaj dite mund të ndodhin incidente të vogla, ndërsa tendencat për të ndërprerë zgjedhjet duhen parë sipas mundësive që kanë serbët në veri.

“Incidente të vogla ka me pas, tendenca ka me pas, mirëpo tendencat (për ndalim të zgjedhjeve) duhet me i pa karshi mundësive që i kanë”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, Sopjani ka thënë se herën e parë që nuk u mbajtën zgjedhjet ishte vendim i duhur, dhe sipas tij, zgjedhjet kësaj radhe duhet të mbahen sepse “shteti do të dukej joserioz dhe jashtëzakonisht i dobët”.

“Nëse zgjedhjet nuk do të ishin mbajtur edhe këtë herë, thjesht ajo që do të ishte krijuar, do të ishim treguar joserioz si shtet edhe jashtëzakonisht të dobët. Kështu që zgjedhjet duhet të mbahen”, është shprehur Sopjani.

Ndër të tjera, ai ka thënë se sistemi zgjedhor nuk e potencon rëndësinë e pjesëmarrjes, sepse “edhe me një pjesëmarrje shumë jashtëzakonisht të ulët, zgjedhjet janë legjitime dhe të pranueshme”.

“Do të thotë ata kandidatë aq sa marrin vota, nëse vetëm njëri merr vota më shumë se ai tjetri, ai është kryetar i komunës”, ka shtuar ai.

/Shqip.com