Lajme

Sonte mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Kosovë për situatën në Ukrainë

Qeveria e Kosovës

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Kosovës do të mblidhet sot në mbrëmje për të diskutuar rreth situatës mes Ukrainës dhe Rusisë.

Lajmin për Shqip.com e ka dhënë Bekim Kupina, këshilltar për media në Presidencën e Kosovës.

“Sonte në mbrëmje mbahet takimi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në ora 19:00”, ka thënë ai.

Ish-kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, në seancën e së martës ka folur rreth situatës në Ukrainë dhe i njëjti ka kërkuar të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtar.

“Qeveria e Kosovës duhet ta mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Nuk e di nëse është mbledh”, ka thënë deputeti i PDK-së.

Ndërsa, ministrja e Jashtme e Kosovës ka reaguar gjatë ditës së martë për situatën në Ukrainë, ku ka thënë se Kosova qëndron me Ukrainën dhe se bota duhet t’i përgjigjet Putinit me vendosmëri.

“Kosova qëndron me Ukrainën kundër agresionit të drejtpërdrejtë të Rusisë. Putini po bën edhe një herë luftë kundër një demokracie paqësore. Ai ka bërë luftëra hibride kundër demokracive në gjithë Evropën për shumë vjet. Bota e lirë duhet t’i përgjigjet me vendosmëri Putinit dhe përfaqësuesve të tij”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Qeveria e Kosovës në shenjë solidariteti me shtetin ukrainas ka ndezur të martën në mbrëmje flamurin e Ukrainës tek objekti i Qeverisë./Shqip.com