Lajme

Solidarizim me familjet e viktimave të sulmit në Deçan, motivet e të cilit mbeten të panjohura

Vrasja në Deçan.

Tre nga katër personat që ishin cak i sulmit me armë zjarri në një autobus në fshatin Gllogjan të Deçanit, kanë mbetur të vdekur, teksa personi i katërt i lënduar tashmë është jashtë rrezikut për jetë.

Personat që nuk arritën t’i bëjnë ballë plagëve të marra të këtij sulmi, motivet e të cilit ende nuk dihen janë dy nxënës dhe një shofer autobusi.

Sipas organëve të rendit dhe hetuesisë, rasti ndodhi gjatë pasdites të së premtes, saktësisht rreth orës 19:00.

Derisa Policia dhe Prokuroria po e bëjnë punën e tyre në vendin e ngjarjes, Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, tha se orët janë të gjata, andaj ka nxitur organet e rendit që sa më parë të zbulojnë autorët e këtij krimi të rëndë dhe t’i sjellin ata para drejtësisë.

Edhe presidentja e Kosovës, si kre i një prej institucioneve më të rëndësishëm të vendit ka ftuar organet e rendit që sa më parë t’i zbulojnë autorët e krimit.

Ajo madje tha se ky sulm është goditje ndaj rendit dhe sigurisë.

Jo shumë vonë erdhi edhe reagimi i të parit të Qeverisë, Albin Kurti, i cili derisa shprehi ngushëllimet për familjet e viktimave, tha se policia është e mobilizuar me kapacitetet e saj të plota për ta hetuar këtë krim të rëndë dhe për të mundësuar drejtësi.

Reagime për këtë rast pati edhe nga opozita. Kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë kërkuar nga organet e sigurisë që të zbardhin sa më parë këtë “sulm makabër” në Deçan.

Derisa drejtues të disa dikastereve të Qeverisë me të marrë lajmin për këtë ngjarje morën rrugën për t’u kthyer nga Shqipëria, ku po qëndronin me rastin e mbledhjes së dy qeverive në Elbasan, reagime pati edhe nga udhëheqësit e këtij vendi.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se “Jetët e marra në Kosovë nga plumbat e një egërsie që meriton ndëshkimin ekstrem të drejtësisë, na kanë brengosur të gjithëve”.

“Ngushëllime vëllazërore familjeve të goditura në zemër nga humbja absurde. Kurajo e mbështetje institucioneve të Kosovës në këtë moment sfidues”, tha më tej ai.

Ndërsa presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta tha se autorët e këtij sulmi duhet të marrin ndëshkimin më të ashpër ligjor.

Së fundmi, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka kërkuar ndihmë nga qytetarët për ta gjetur dorasin që la të vdekur tre persona në autobusin që po lëvizte në fshtin Gllogjan të Deçanit.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, bën thirrje që kushdo që ka ndonjë informacion për këtë rast të bashkëpunojë me Prokurorinë dhe Policinë, në mënyrë që kryerësi e këtij krimi të kapet dhe të dalë sa më shpejtë para drejtësisë”, shkruhet tutje”, thuhet në njoftim.

Nga kjo zyrë theksojnë se prokurorët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për ta zbardhur rastin. /Shqip.com