Sport Shqiptar

Sokoli: Giresse është dashur të shkarkohet më herët

Bylbyl Sokoli

Trajneri i futbollit kosovar, Bylbyl Sokoli, ka thënë se Alain Giresse është dashur të shkarkohej më herët.

Trajneri i mirënjohur i futbollit kosovar, Bylbyl Sokoli, ka deklaruar se trajneri tashmë i shkarkuar nga FFK-ja, Alain Giresse, është dashur të shkarkohet shumë më herët, për shkak se sipas tij, gabimet nga ai ishin skandaloze.

“Fajtori gjithmonë i takon selektorit, i cili vërtete nuk ka tregu asnjë rezultat, është vonu me shkarkimin e tij, është dashur të shkarkohet menjëherë. Kam thënë që nga koha kur ka shku në Greqi, vetëm me 4 futbollistë, ka mund të marrë futbollistë nga lista jonë, por ka shkru me 14 futbollistë, ka tregu jo seriozitet, nuk mbaj mend që një ekip në Evropë apo botë, që ka shku me 14 futbollistë, pa bankë rezervë. Këso gafe nuk mund të bëjë askush, vetëm neve na ka ndodhë”, ka thënë ai për Debat Plus.

Sokoli u shpreh se humbja e fundit në kualifikimet për Evropian, ndaj Bjellorusisë, ishte e turpshme. Sipas tij, Kosova ka humbur një shans të artë për t’u kualifikuar.

“Kulminacioni ka ndodhur në ndeshjen me Bjellorusinë, në vendosje shumë gabime, në prezantim shumë gabime… Ishte humbje e turpshme, ishte aq joserioze, që në një pjesë luante Rudhani, në vend se të luante Zhegrova, aty ku duhet në vend të Rashicës, nuk luante Zhegrova por luante anësori i majtë… Kishim gabime trashanike, një humbje që ishe në fund të tabelës. Kjo është gjendja katastrofale e ekipit tonë”, ka thënë ai.

Giresse, u shkarkua këtë javë nga FFK-ja, pas humbjes 3:1 ndaj Bjellorusisë.

/Shqip.com