Lajme

Snajperistë e forca të shumta policie rrethojnë Kryeministrinë pas protestës kundër vizitës së Vuçiqit

Snajperistët në Shqipëri.

Forca të shumta policie dhe snajperistë të RENEA-s kanë rrethuar ndërtesën e Qeverisë në Shqipëri, pas protestës së thirrur nga ish-kryeministri, Sali Berisha, kundër vizitës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Tiranë, përcjell Shqip.com.

Lexo edhe:
Berisha për Shqip.com: Open Balkan është pro Serbisë e Rusisë dhe kundër Procesit të Berlinit

Protestuesit, të prirë nga Berisha, janë mbledhur para Kryeministrisë, për të kundërshtuar “Open Balkan-in”, raporton ABC News.

Ndryshe, Rama, Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, do të takohen të hënën në Tiranë, për të nënshkruar disa marrëveshje për “Ballkanin e Hapur”.

Në takimin që do të mbahet të hënën, do të diskutohen dhe miratohen pesë marrëveshje.

“1-Një treg i përbashkët dhe i lirë pune mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. 2-Ngritja e një skeme të përbashkët ndërlidhje elektronike identifikimi për qytetarët në Ballkanin Perëndimor. 3-Marrëveshje ndërqeveritare mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për bashkëpunimin në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore atë të fitosanitarisë në Ballkanin Perëndimor.

4-Marrëveshje Shqipëri-Serbi për njohje e ndërsjelltë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS). 5-Marrëveshje Shqipëri-Maqedoni e Veriut për njohje e ndërsjelltë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS)”, janë vendimet që pritet të merren nga ky takim./SHQIP.com