Lajme

Berisha për Shqip.com: Open Balkan është pro Serbisë e Rusisë dhe kundër Procesit të Berlinit

Sali Berisha

Janë dy të këqija të mëdha që Open Balkan ia shkakton Shqipërisë e shqiptarëve në përgjithësi, prandaj kjo nismë duhet të kundërshtohet dhe ardhja e presidentit serb në Tiranë duhet të protestohet, ka thënë Sali Berisha, ish-kryeministri i Shqipërisë, në një prononcim për Gazetën Online Shqip.com.

Berisha, aktualisht deputet i Partisë Demokratike, është i bindur se “me këtë nismë (Open Balkan) (Aleksandër) Vuçiq, duke u shërbyer nga (Edi) Rama dhe (Zoran) Zaev, zëvendëson nismën e Berlinit”.

“Procesi i Berlinit grupon si vende të barabarta gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ka qëllimin më madhor përgatitjen e këtyre vendeve dhe mbështetjen e tyre për procesin e integrimit të tyre në BE”, thotë Berisha, gjë që, sipas tij, nuk e bën edhe Open Balkan, madje e kundërta.

“Aleanca Trilaterale (trepalëshe) Beograd-Tiranë-Shkup hapë rrugën për vendosjen e hegjemonisë serbe në rajon dhe influencës ruse në zonë”.

Ballkani i Hapur

Berisha, që aktualisht është në një luftë të brendshme për të rimarrë kreun e PD-së, ka shtuar se “Ballkani i hapur me plotë të drejtë refuzohet nga tre vendet tjera të Ballkanit Perëndimor; pra nga Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova”.

“Përveç tyre, kjo nismë është kundërshtuar edhe nga Kroacia”.

Berisha, duke provuar t’i japë forcë argumentit të tij kundër nismës, rikujton se “ajo u refuzua edhe nga Angela Merkel, Ursula vand der Leyen në Tiranë dhe Mirosllav Lajçak në forumin e Alpeve në Bled të Austrisë”.

Për shkak të këtyre argumenteve – dhe të tjerave që i ka shpalosur më parë – Berisha ka thirrur protestë për të stopuar ardhjen e Vuçiqit në kryeqytetin shqiptar.

Pamje nga protesta e mbajtur në Shqipëri

Protesta, nga indikacionet e para, duket të jetë masive, me shumë njerëz që janë pozicionuar në sheshin qendror të Tiranës, pranë institucioneve shtetërore.

Nëse protesta nuk ndryshon diçka, agjenda e kësaj vizite e prezanton atë si dy ditore, të hënën e të martën, ku Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të jetë nikoqir i kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Liderët e tri shteteve të përfshira në këtë proces, sipas agjendës së publikuar, do ta zyrtarizojnë këtë iniciativë që synon lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve duke nënshkruar pesë marrëveshje”.

E para që do të nënshkruhet mes tre liderëve është rreth kushteve për qasjen e lirë në tregun e punës./Shqip.com