Lajme

Smith: Serbët i kishin marrë tanket nga ushtria holandeze në Srebrenicë dhe i kishin përdorur kundër Jasharëve në Prekaz

“Serbët përdorën tanke holandeze në Prekaz”
“Serbët përdorën tanke holandeze në Prekaz”

Në marsit të vitit 1998, forcat serbe nisën sulmin në Prekaz.

Këtu forcat serbe me gjithë artilerinë e tyre, ia mësynë familjes Jashari.

E me tmerrin që po ndodhte këtu, shumë shpejt u njoftua e gjithë bota.

Kjo u bë përmes kamerës së ish-korrespodentit të BBC-së në Kosovë, Vaughan Smith.

26 vjet pas kësaj ngjarje, Vaughan Smith, për Tëvë1, ka rrëfyer përjetimet e tij.

Na njoftuan se diçka po ndodhte në Prekaz, por se çka saktësisht nuk e dinim. Rrugës kishte shumë policë serbë që kishin formuar kordonë dhe ne duhej të kalonim përmes tyre. Kur arritëm në Prekaz duhej të ngjitesha në një kodër dhe aty e pash fshatin poshtë meje. Shtëpitë tashmë ishin në flakë dhe po qëllohej drejt tyre. Ishte e vështirë të xhiroja pasi duhej të fshihesha pas drunjve. Më kujtohet kur e xhirova një tanke që po i shembte shtëpitë dhe ushtarët që po ua vinin flakën dhe po i plaçkitnin ato”, ka thënë ai.

Vaughan Smith për Tëvë1, ka zbuluar një detaj të cilin e kuptoi vetëm pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Tanket që i përdori ushtria serbe në sulmin e familjes Jashari, ishin marrë nga lufta e Bosnje dhe Hercegovinës.

Më vonë e kuptova që këto tanke, serbët i kishin marrë nga ushtria holandeze në Srebrenicë para disa vitesh dhe tani po përdoreshin kundër Jasharëve në Prekaz”, ka treguar ai.

Të gjitha këto pamje, Smith i shfaqi para botës.

Por këtë gati se e pagoi me jetën e tij.

Kur i përfundova xhirimet, tani misioni ishte të largohesha nga aty sepse kishte kohë ende të paraqitëm në televizion. Por, forcat serbe më panë teksa po largohesha dhe shtien me kallashnikov drejt nesh. Njëri nga plumbat më goditi, por nuk po ndjeja gjë. Kur u largova e shikova telefonin dhe pashë se plumbi e kishte goditur atë dhe ndodhej akoma brenda telefonit. Këtë telefonin e ruaj ende”, shprehet ish-korrespodenti i BBC-së.

Gjatë karrierës së tij, Smith mbuloi luftërat në Irak, Afganistan, Bosnje & Hercegovinë e Çeçeni.

Por, shton se rast të ngjashëm me atë të familjes Jashari, nuk pa kund në botë.

Nuk kam parë kurrë një rast si të familjes Jashari. Ka shumë elemente aty, shembull, a mund të largoheshin disa nga familjarët? Por jo, ata zgjodhën të qëndrojnë dhe u vranë të gjithë. Ta kuptosh Prekazin, duhet ta kuptosh se sa vizitorë shkuan deri sot në atë kompleks. Ajo se çfarë e bëri ushtria serbe, nuk mund të quhet sukses, sepse i vranë të gjithë, përveç një apo dy të mbijetuarve. Kjo nuk është fitore në luftë. Në anën tjetër, kur e shikon tek shqiptarët kishte një efekt krejt tjetër. Prekazi ngjalli rezistencën. Nga diaspora njerëzit filluan të ktheheshin për të luftuar, UÇK u zgjerua dhe doli në skenë. Krejt kjo lidhet ngushtë me Prekazin dhe Jasharët”, thotë ai.

Për luftën në Kosovë, Smith realizoi edhe një dokumentarin “The Valley”, e që mbetet nga dokumentarët më të njohur në Mbretërinë e Bashkuar.

/Shqip.com