Lajme

Sllovenia shprehet e gatshme ta shtojë numrin e trupave në Kosovë

Një ushtare sllovene duke shikuar teksa një ushtar amerikan bisedon me një pjesëtarë të Policisë së Kosovës në Jarinjë.
Një ushtare sllovene duke shikuar teksa një ushtar amerikan bisedon me një pjesëtarë të Policisë së Kosovës në Jarinjë.

Sllovenia është e gatshme ta shtojë numrin e trupave të vet në misionin paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR, thanë të enjten sekretari i Përgjithshëm i aleancës ushtarake, Jens Stoltenberg, dhe kryeministri slloven Robert Golob.

Duke folur gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Bruksel, Stoltenberg e lavdëroi Slloveninë për rolin e saj në stabilizimin e Ballkanit Perëndimor gjatë dy dekadave prej se ajo u bë anëtare e NATO-s.

“Sllovenia për shumë vite ka kontribuuar me ushtarët dhe forcat e saj në misionin tonë paqeruajtës në Kosovë, dhe ne e mirëpresim njoftimin e kryeministrit Golob për gatishmërinë për ta rritur edhe më shumë kontributin slloven në misionin tonë, KFOR”, tha Stoltenberg.

Sllovenia i ka 103 ushtarë aktualisht në misionin paqeruajtës të aleancës ushtarakes në Kosovë.

Golob ka thënë se misioni i KFOR-it është mbase “tregimi më i rëndësishëm dhe më i suksesshëm i bashkëpunimit brenda NATO-s, për mënyrën se si të stabilizohet rajoni.”

Ai tha se, edhe pse Sllovenia gjatë viteve të fundit e ka zvogëluar kontributin, është e gatshme të bëjë më shumë, nëse është nevoja.

“Dhe duket se, po, mund të ndodhë në muajin e ardhshëm, por kjo është diçka për të cilën duhet të diskutohet dhe të vendoset”, tha ai.

Në një raport vjetor të NATO-s, i publikuar më 14 mars, Stoltenberg tha se prania ushtarake e NATO-s në Kosovë është e domosdoshme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetin në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Tensionet në veri të Kosovës filluan të rriten në fund të majit 2023, pasi kryetarët e rinj të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, të shoqëruar nga Policia e Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.

Banorët serbë e kundërshtuan këtë dhe organizuan protesta që kulmuan në dhunë më 29 maj në Zveçan, ku u plagosën dhjetëra demonstrues dhe ushtarë të KFOR-it.

Ato u përshkallëzuan disa muaj më vonë, më 24 shtator, kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup serbësh të armatosur në Banjskë të Zveçanit në veri të vendit, ku mbeti i vrarë një polic dhe tre sulmues.

Si rrjedhojë, NATO-ja e shtoi numrin e ushtarëve të saj në misionin paqeruajtës, KFOR, në Kosovë.

Sipas raportit të Stoltenbergut, tani misioni i KFOR-it i ka 4.700 pjesëtarë në Kosovë, përfshirë edhe forcën rezervë. Ky numër do të rritet edhe më shumë, nëse merret vendim që Sllovenia ta shtojë numrin e trupave në Kosovë muajin e ardhshëm.

Të mërkurën, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se qytetarët e Kosovës nuk duhet të shqetësohen për kërcënimet dhe sulmet e mundshme, pasi misioni i NATO-s në Kosovë, është “i gatshëm të bëjë gjënë e duhur”.

Hovenier tha se garancitë e sigurisë që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kosovës vazhdojnë të jenë të forta, përderisa tha se Kosova përfiton në aspektin e sigurisë nga prania e misionit të KFOR-it që “është forcë krejtësisht penguese ndaj ndonjë lloj sulmi që qytetarët mund të jenë të shqetësuar”. /REL

/Shqip.com