Sport Shqiptar Ndarja me Liburnin ishte e vështirë - Alaj synon titullin me Prishtinën

Skuadra e re, synimi i vjetër për Dani Alaj

Ramadan Alaj

11 vjet qëndroi në Liburn.

Me fanellën kuq e zi u shpall katër herë kampion i Kosovës dhe u paraqit në Ligën e Kampionëve.

Por, për shkak se skuadra nga Gjakova është tërhequr nga garat, Ramadan Alaj ka hapur një kapitull të ri në karrierë, duke ju bashkuar FC Prishtina 01.

Për Shqip.com, ai fillimisht tregon se “ndarja me Liburnin nuk ishte diçka që e prisja, mendoja që ta përfundoja karrierën aty”.

Alaj – sa ishte pjesë e Liburnit

“Lidhja ndërmjet lojtareve, stafi teknik dhe kryesisë kishte kaluar në një lidhje vëllazërore dhe çdo gjë shkonte perfekt” – rrëfen ai me nostalgji.

Kapitulli me kuqezinjtë – tashmë mbetet vetëm krenari e së kaluarës për Danin, i cili synon suksese tjera me klubin e ri.

“Si në të gjitha klubet ku kam luajtur ashtu edhe të FC Prishtina 01– synimet janë gjithmonë të njëjta – fitimi i titullit dhe dalja në garat evropiane”, tregon ai fillimisht.

I pyetur se “kush është kundërshtari i drejtpërdrejtë për titull”, majtaku potencon se “Superliga është tejet cilësore me ekipe shumë të organizuara, mirëpo rivaliteti kryesor do të jetë me FC Liqenin – pasi ka edhe lojtarë të jashtëm në ekip”.

Alaj – ishte përballur me një lëndim – gjatë sezonit të fundit, por tashmë është në formë të mirë fizike dhe nuk po mendon pensionimin.

Alaj – me Përfaqësuesen e Kosovës

“Çdo sportist gjatë karrierës has në probleme me lëndime, por ai gjithmonë duhet të ngrihet përsëri dhe të vazhdoj të luaj – duke e dhënë më të mirën për ekipin e tij. Unë sa herë jam rrezuar, jam ngritur dhe kam dhënë maksimumin e asnjëherë nuk e kam menduar pensionimin, ani pse një ditë do të vjen”.

Futbollisti në fjalë konsiderohet si një nga më të mirët që ka shkelur në palestrat e Kosovës.

Ai vazhdon të ftohet rregullisht në Përfaqësuesen e Kosovës – ku edhe e mban shiritin e kapitenit.

Në të kaluarën, ai ka djersitur edhe fanellën e FC Pallma Pharm & Vëllëzrit Kuka, FC Bamboo dhe FC Benagoo.

Teksa, në Ligën e Kampionëve u paraqit si huazim – te Feniksi dhe Tirana.

Përveç Alajt, Prishtina ka arritur marrëveshje edhe me Halim Selmanaj, Bajram Ramadanin, Driton Nishorin, Ermir Kryeziun, Liridon Lahu dhe Leonard Krasniqin./Shqip.com