Sport Shqiptar

Skuadra e famshme spanjolle afër marrëveshjes me Uzunin

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni është afër parakontratës me klubin e La Ligës, Valencia.

Paraqitjet e shkëlqyera në Kategorinë e Dytë spanjolle dhe 15 golat e shënuar deri tani me Granadën, kanë bërë që klubi me emër në elitën e Spanjës, të prenotojë Uzunin që përpara merkatos së verës dhe sezonin e ri beratasi të kalojë në “Mestaja”.

Vetëm dje janë zbuluar edhe klauzolat që klubi aktual i ka vendosur yllit kuqezi. Uzuni është nën kontratë me Granadën deri në vitin 2026 dhe atij i janë vendosur dy klauzola. Gjithçka varet se si do ta përfundojë sezonin klubi.

Nëse Granada do të dështojë ngjitjen në La Liga, për sulmuesin duhet të paguhen 12 milionë euro, por nëse klubi promovohet një kategori më lart, atëherë në arkat e klubit duhet të derdhen 25 milionë euro.

/Shqip.com