Lajme

Skeda kriminale e Altin Çokut/ Nga lidhja intime me vajzën e dajës te tentativa për të djegur kushëririn

Altin Çoku 39 vjeç banues në Kamzë u arrestua nga policia për rastin e vetëvrasjes së Sibela Abedinit, e cila u vetëhodh nga kati i 4 i pallatit pas publikimit në TikTok të një fotoje intime të saj me vetë 39-vjeçarin.

Ai akuzohet për shkaktim të vetëvrasjes, sot është zbuluar edhe skeda kriminale e Altin Çokut prej vitit 2010.

Para më shumë se 15 vitesh, Altin Çoku kishte krijuar një lidhje intime me një vajzë 18-vjeçare, që ishte kushërira e tij e afërt, konkretisht vajza e dajës.

Në vitin 2009, Çoku ishte njohur me një vajzë tjetër me të cilën kishte krijuar lidhje. Pas këtij momenti, kushërira e tij 18-vjeçare i dha fund marrëdhënies me të, por Altin Çoku insistonte që të vazhdonin lidhjen, madje duke e kërcënuar se do t’i bënte keq asaj dhe vëllait të vogël 15-vjeçar, që ishte djali i tij i dajës.

Deri sa në vitin 2010, Altin Çoku kreu një krim monstruoz. Në 31 Mars të atij viti rreth orës 11:30, djali i tij i dajës 15-vjeçar ka qenë duke mbledhur kanaçe në qytetin e Laçit. Altin Çoku, i cili kishte marrë një shishe me lëndë djegëse, iu afrua dhe e spërkati me të në trup, më pas i vendosi flakën me shkrepëse. Pastaj u largua.

15-vjeçari i mituri që ishte përfshirë nga flakët e zjarrit u shpëtua nga dy banorë të zonës, të cilës i hoqën rrobat dhe e dërguan në spital për ndihmë mjekësore. I mituri mundi të shpëtonte, por kishte pësuar djegie të rënda në masën 25%.

Prokuroria e Kurbinit e hetoi ngjarjen në atë kohë dhe nxori para përgjegjësisë Altin Çokun si autor të vrasjes së të miturit të mbetur në tentativë.

Mirëpo një raport i ekspertizës mjeko-ligjore e nxori Altin Çokun me prapambetje mendore të moderuar dhe çrregullime të sjelljes, e që në kohën kur bëri veprën penale ishte i papërgjegjshëm për veprimet e tij. Ndaj Altin Çokut u vendos mjekim i detyruar ambulator, duke shpëtuar nga dënimi me burg.

/Shqip.com