Skandali ushqimor i KMY! Myk, ndryshk dhe mish i bllokuar, subjekti “kyç gojën”
Shqip.com denoncoi disa ditë më parë kushtet skandaloze ku mbahej mishi i pulës në magazinat e subjektit “KMY”. Produkti ushqimor i vendosur në ambient me prani myku dhe ndryshku, përbën rrezik serioz për sigurinë ushqimore.
Nëse Agjencia Kombëtare e Ushqimit nuk do të ushtronte kontroll në magazinat e “KMY” mishi kontaminuar mund të kishte përfunduar në tryezat tona.
AKU bën me dije se pas inspektimit dhe konstatimit të kushteve skandaloze, subjekti u gjobit 300.000 (treqind mijë) lekë, ndërkohë që u mor masa e bllokim të pjesshëm të aktivitetit. Për shkak të ruajtjes së mishit në kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare në total u bllokuan 738 kg produkt fileto dhe gjoks pule.
Nga ana tjetër, KMY ka vendosur të kyçë gojën përballë një çështjeje që prek drejtpërdrejt sigurinë ushqimore dhe shëndetin e qytetarëve.
Mungesa e një përgjigjeje zyrtare jo vetëm që dëmton besimin publik, por rrit edhe pasigurinë për standardet që ndiqen në treg.
Të heshtësh kur konsumatori pret informacion në lidhje me sigurinë e produkteve që konsumon, thellon dyshimet mbi mënyrën se si trajtohen nga “KMY” shkeljet që prekin shëndetin e qytetarëve.
Më herët në një investigim është denoncuar fakti se “KMY” kishte kryer procedura te dyshimta të asgjësimit të sallamit të skaduar.
Kjo pasi, AKM, institucion që duhet të jetë prezent në asgjësimin e produkteve të hequra nga përdorimi, nuk kishte asnjë informacion ku kishte përfunduar 54 ton mish dhe sallam i skaduar “KMY”.
/Shqip.com