Lajme Ballkan

Skandal në spitalin “Zhan Mitrev”: Pacientët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut u përdoren si eksperiment, gjaku iu infektua me bakterie

Spitali "Zhan Mitrev"

Një spital në Shkup, emri i të cilit u bë i njohur në Kosovë, sidomos pas shfaqjes së Covid 19, ka trajtuar në mënyrë skandaloze pacientët që kanë shkuar për të kërkuar shërim.

“Zhan Mitrev”, institucion privat i shëndetësisë i emëruar sipas kardiokirurgut që e drejton atë, rastet e pacientëve me COVID-19 i ka trajtuar me metodën e hemofiltrimit, që në shumë raste ka rezultuar fatale për ta.

Spitali privat, “Zhan Mitrev” ka pasur disa lloje ofertash nga 3 mijë, 4 mijë apo 5 mijë euro për metodën e hemofiltrimit. Në disa raste kjo metodë ka rezultuar fatale për pacientët të cilët, pasi kanë pastruar gjakun, janë infektuar me disa lloje të baktereve, e për pasojë edhe kanë vdekur.

Kështu thuhet në hulumtimin “Gjaku i papastër” i kryer nga “Investigative Reporting Lab” (IRL).

Hulumtimi kishte për bazë 24 raporte të qytetarëve nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova dhe ato janë verifikuar për më shumë se 24 muaj.

Përfundimi, sipas hulumtimit, është se “pacientët me COVID-19 u përdorën si derra për eksperimente dhe u detyruan të paguajnë shumë para pa u informuar se ishin pjesë e një eksperimenti”, shkruan portali “Veçer.mk”.

Gjatë dokumentarit dëshmohen edhe lidhjet e ngushta të pronarit të klinikës me politikën dhe se në të “gufojnë bakteret dhe infeksionet intrahospitalore”. Për më keq, asnjëra nga shpërthimet e infeksioneve nuk u janë paraqitur autoriteteve, ashtu siç e parasheh ligji.

“Episodi ‘Gjaku u papastër’ është po aq i vështirë për t’u parë sa edhe për t’u realizuar, jo vetëm nga pikëpamja gazetareske, por më së shumti nga pikëpamja njerëzore. Na bëri të pyesim seriozisht se sa vlen jeta jonë dhe sa kujdeset shteti për shëndetin e qytetarëve të tij”, ka shkruar IRL në Twitter, si paralajmërim për dokumentarin që u shfaq të dielën mbrëma e që shkaktoi bujë në Maqedoni e më gjerë.

Klinika është në pronësi të mjekut me të njëjtin emër Zhan Mitrev, për të cilin IRL-ja thotë se “është një akademik i rremë dhe shumica e njohjeve me të cilat ai mburret mund të blihen për para”.

Mjeku, Zhan Mitrev

Familjarë të atyre që vdiqën, teksa po trajtoheshin në këtë klinikë, kanë treguar për faturat mijëra euroshe të paguara.

“Ndihem e gënjyer e manipuluar. Jeta më është shkatërruar”, thotë e veja e pacientit Nikola Brezev, që vdiq në moshën 61-vjeçare. “Në sektorin privat dihet vetëm se kush paguan, nuk dihet as kush ha, e as kush pi”.

Vitin e shkuar, kur pandemia në Maqedoninë e Veriut ishte në kulm, Ministria e Shëndetësisë e këtij vendi njoftoi se 14 pacientë me COVID-19 kishin vdekur në këtë klinikë për një muaj.

Kjo kishte nxitur reagimin e klinikës.

Po ashtu, më 2020 mjekë kosovarë kishin reaguar në lidhje me një “formulë shërimi” e prezantuar nga mjeku Mitrev, për zemrën dhe kancerin./Shqip.com